Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin jugor të Meksikës, Oaxaca, ku kryetarja e bashkisë së San Mateo Piña, Lilia Garcia, u vra në një sulm të armatosur brenda zyrës së saj.
Sipas policisë shtetërore, sulmi ndodhi të dielën herët në mëngjes, kur katër persona të armatosur që udhëtonin me skuterë u futën me forcë në godinën e bashkisë dhe hapën zjarr mbi zyrtarët. Përveç Garcia-s, në vendngjarje humbi jetën edhe këshilltari i qytetit, Eli Garcia. Dy këshilltarë të tjerë mbetën të plagosur dhe po marrin trajtim mjekësor.
Autoritetet dyshojnë se sulmi ka lidhje me bandat e krimit të organizuar, të cilat shpesh shënjestrojnë zyrtarët lokalë që refuzojnë të bashkëpunojnë ose të pranojnë ryshfete.
Rastet e dhunës ndaj politikanëve dhe zyrtarëve të zgjedhur janë bërë të zakonshme në Meksikë, veçanërisht në zonat ku grupet kriminale kanë ndikim të madh dhe kërkojnë të kontrollojnë institucionet lokale. Hetimet për këtë sulm vazhdojnë, ndërsa deri më tani nuk ka të arrestuar.