Alibej dëshmon për vrasjen e Bujar Çelës: U përpoqëm disa herë, por dështuam derisa u përfshinë çunat e Fushë-Krujës
Në seancën e radhës pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, bashkëpunëtori i drejtësisë Erion Alibej ka dhënë dëshminë e tij mbi vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.
Sipas Alibejt, atentati ndaj Çelës ishte planifikuar prej muajsh dhe përfshinte disa tentativa të dështuara.
“Bujar Çela ishte njeriu më i afërt i Talo Çelës. Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, vendosa që armën e krimit ta vendosnim te shtëpia e Bujar Çelës. Xhuljani më jepte informacione”, deklaroi Alibej, duke iu referuar Xhuljan Hoxhës.
Ky i fundit reagoi nga kafazi i hekurt duke iu drejtuar me ironi:
“Unë kam qenë në shtëpi. I sigurt që ke folur me mua o Tommaso Buscetta…”
Më tej, Alibej rrëfeu se në fillim për vrasjen e Çelës ishin angazhuar Skerdi Tase dhe Henrik Hoxha, por që më pas ishin tërhequr pa arsye të qartë.
“Për Bujarin vendosëm ta ekzekutonim. Si fillim u angazhua Skerdi Tase për ta ekzekutuar dhe Henrik Hoxha. E morën si punë, u angazhuan të dy. U morën disa ditë rresht për ekzekutimin e Bujar Çelës. Nuk e kuptova pse u tërhoqën, as sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar pse nuk e vranë. Informacionet për Bujarin unë i kisha të gjitha, përveç informacioneve që kishte Nuredini nga Eljo Bitri. Nuk u arrit në atë periudhë, pastaj Bujari u mor me Abedin Mamen. Më pas, sa i përket ditës së ekzekutimit të Bujarit, u angazhua ditë përpara çunat e Fushë-Krujës, Besi dhe Veri (Besin Xhixha dhe Enver Diva). Çunat e Fushë-Krujës, ditën e ekzekutimit, kanë ardhur me një Renault ngjyrë qumështi, me atë erdhën nga Fushë Kruja. Kanë prit njëherë te shtëpia e Bujarit, një komshi i pa dhe ata u tërhoqën. U larguan nga zona aty dhe më pas u afruan te lokali ku ishte Bujari. Pasi kanë mbaruar veprimin, më ka shkruajtur Nuredini në sekondë që ‘mbaroi Bujari’. Makina u larguan njëkohësisht, Renault-i u dogj, më pas me makinën E-Class shkuan për Fushë Krujë”, tregoi Alibej.
Xhuljan Hoxha, nga kafazi, e akuzoi dëshmitarin se po manipulon procesin dhe e sfidoi Alibej të tregonte përfshirjen e Megi Kilës, për të cilën aludoi se kishin një lidhje dashurie.
“Tregoje pak si e pyesje Megi Kilën për Emiljano Ramazanin? Pse nuk e përmend Megi Kilën, dashurinë e shekullit? Se për vrasjen e Bujar Çelës unë kam qenë në shtëpi. S’kam lidhje fare me këtë ngjarje. Procesi jonë është i padrejtë fare, po manipulohet. Gjyqi zhvillohet si do Nuredin Dumani dhe Erjon Alibej. Do të lutem shumë gjyqtare, si fliste ai me Megi Kilën? Më shumë se burg përjetë nuk keni çfarë më bëni më. Le të mbarojë ai deklarimet, se kam unë për të folur për të”, deklaroi Hoxha me zë të lartë në sallë.
Në fund të seancës, Alibej deklaroi gjithashtu se një shumë të konsiderueshme parash ia kishte dorëzuar Arsen Preçit, si pagesë për vrasjet e porositura.
“Arsen Preçit i dhashë 60-70 mijë euro, aq sa më dha Nuredini. Nuk e mbaj mend mirë shumën. Ia dhashë në një karburant afër Vorës”, përfundoi ai.