Regjistrimi i adresës së banimit, vetëm në mënyrë elektronike! Si do të veprohet me shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, ç’ndodh nëse keni mangësi në dokumentacion

Duke nisur nga dita e djeshme, deklarimi i adresës së banimit apo vendqëndrimit për qytetarët shqiptarë dhe të huaj që ndodhen në territorin e Shqipërisë bëhet vetëm “online”, përmes portalit qeveritar “e-Albania”.

Vendimi i ri i qeverisë, i botuar në Fletoren Zyrtare, shënon një tjetër hap drejt digjitalizimit të shërbimeve publike dhe heqjes përfundimtare të procedurave në sportele. Sipas vendimit, çdo shtetas është i detyruar të kryejë deklarimin, ndryshimin apo saktësimin e adresës përmes “e-Albania”, duke ngarkuar dokumentacionin që vërteton marrëdhënien me banesën, siç janë aktet e pronësisë, kontratat e qirasë apo çdo dokument tjetër ligjor që provon vendbanimin e deklaruar. Për ata që kërkojnë të regjistrohen në një familje ekzistuese, kërkesa do të duhet të konfirmohet nga kryefamiljari përmes të njëjtit portal.

Vendimi parashikon që të gjithë anëtarët e një familjeje duhet të kenë të njëjtën adresë, e cila duhet të përputhet me sistemin e adresave zyrtare në fuqi. Një tjetër risi është përfshirja në sistem edhe e qytetarëve që qëndrojnë për më shumë se tre muaj në institucione të vuajtjes së dënimit, paraburgim ose institucione shëndetësore për kurim afatgjatë. Në këto raste, është detyrë e institucioneve përkatëse të njoftojnë zyrën e gjendjes civile brenda 48 orëve nga përmbushja e afatit. Pas përfundimit të qëndrimit, njoftimi për rikthim në adresën e mëparshme duhet të bëhet brenda pesë ditësh. Në rastet kur zyrat e gjendjes civile konstatojnë mangësi në dokumentacion apo të dhëna të pasakta, qytetarët njoftohen përmes “e-Albania” dhe u jepet një afat treditor për përditësimin e informacionit. Por nëse pasaktësia mund të korrigjohet pa ndërhyrjen e qytetarit, ajo do të bëhet automatikisht nga administrata. Vendimi rregullon gjithashtu edhe regjistrimin e shtetasve të huaj, refugjatëve dhe personave pa shtetësi. Institucionet përgjegjëse kanë detyrimin të informojnë për çdo akt që krijon, shuan apo ndryshon të drejtën për vendqëndrim. Në këto raste, deklarimi i adresës do të kryhet nga zyrat e gjendjes civile në përputhje me ligjin për të huajt.

“Vetëdeklarimi i adresës është i detyrueshëm dhe do të realizohet përmes platformës ‘e-Albania’. Dokumenti i pronësisë, kontrata e qirasë apo të tjera dokumente të ligjshme duhet të ngarkohen nga qytetari në sistem”, – thuhet në tekstin e vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare.

Kjo rregullore e re shfuqizon vendimin e mëparshëm të vitit 2009, duke i hapur rrugë një mënyre më të thjeshtë dhe moderne të administrimit të të dhënave të banimit. Në të njëjtën kohë, ajo synon të rrisë saktësinë e regjistrave të gjendjes civile dhe të shmangë problematika të zakonshme, si adresat fiktive apo mungesa e përditësimit të informacionit. Me zbatimin e këtij vendimi, qytetarët nuk kanë më nevojë të paraqiten fizikisht në zyrat e gjendjes civile për regjistrimin e adresës. Gjithçka mund të bëhet nga kompjuteri apo telefoni, me kusht që llogaria personale në “eAlbania” të jetë funksionale dhe të përmbajë të dhëna të sakta të kontaktit, si numri i telefonit dhe adresa e emailit.

Qeveria vlerëson se kjo masë jo vetëm do të ulë ndjeshëm fluksin në sportelet publike, por do të rrisë gjithashtu transparencën dhe efikasitetin e shërbimeve. Autoritetet bëjnë thirrje për qytetarët që të përditësojnë menjëherë të dhënat e tyre të banimit, pasi këto janë të lidhura ngushtë me ofrimin e një sërë shërbimesh të tjera shtetërore, si arsimi, ndihma ekonomike, zgjedhjet apo shërbimet shëndetësore.

DOKUMENTET

Dokumentet që duhet të ngarkohen nga qytetari në “e-Albania”:

-Dokument pronësie për ata që jetojnë në banesën në pronësi të tyre:

—Certifikatë pronësie nga ASHK (ishHipoteka).

-Akt-marrëveshje noteriale.

-Vendim gjykate i formës së prerë, nëse është rasti. -Kontratë qiraje për ata që banojnë me qira:

-Kontratë e noterizuar e qirasë, ku përcaktohet qartë adresa dhe afati i qiradhënies.

-Në disa raste mund të kërkohet edhe një deklaratë nga pronari që konfirmon se lejon banimin e qytetarit në atë adresë.

-Kontratë huadhënie banese/përdorimi për rastet kur banesa jepet për përdorim pa qira:

-Marrëveshje e noterizuar.

-Ose deklaratë e thjeshtë me firmë të personit që jep banesën, bashkë me një dokument që vërteton pronësinë e tij.

Çdo dokument tjetër ligjor që vërteton marrëdhënien me banesën:

• Për shembull, akt nga bashkia apo komuna, urdhër sistemimi për kategori të veçanta, dëshmi banimi nga institucionet shtetërore, etj.

Për regjistrimin në një familje ekzistuese:

-Konfirmimi i kryefamiljarit; kërkesa për t’u regjistruar në një familje duhet të miratohet elektronikisht nga kryefamiljari, brenda sistemit të “e-Albania”.

Për qytetarët në institucione (burgje, spitale afatgjata):

-Njoftimi institucional bëhet nga institucioni përkatës (burg, paraburgim, spital), brenda 48 orëve nga përmbushja e afatit 3-mujor. Qytetari nuk duhet të dorëzojë dokument.

Për shtetasit e huaj, refugjatë dhe persona pa shtetësi:

-Vendimi i institucionit përkatës që përcakton vendqëndrimin për shembull, nga Drejtoria e Migracionit, UNHCR ose strukturat e Ministrisë së Brendshme.

-Dokument identifikimi të vlefshëm; pasaportë, leje qëndrimi, ose dokument i njohur ndërkombëtarisht.