Tronditje në majat e pushtetit, SPAK konfirmon nën hetim 14 figura të larta për korrupsion dhe pastrim parash…

Prokuroria e Posaçme (SPAK) duket e vendosur për të tronditur pushtetarët dhe politikanët e përfshirë në afera korruptive dhe kriminale. Në një përgjigje dhënë interesit të gazetarëve, Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) konfirmon se: “14 figura të larta nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash, duke përfshirë tre deputetë aktualë, një ish-deputet, një ish-ministër dhe ish-zyrtarë.”. Hetimet synojnë shpërdorimin e detyrës, pasuritë e pajustifikuara dhe skemat e dyshimta financiare që lidhen me pushtetin. Struktura e Posaçme Antikorrupsion po bashkëpunon ngushtë me autoritetet ndërkombëtare përmes letërporosive, duke zbuluar rrjetet e fshehta të korrupsionit. Emrat e të hetuarve nuk bëhen publik për shkak të sekretit hetimor, por burimet flasin për “një tërmet politik” që po përgatitet. Po ashtu, SPAK paralajmëron se nuk do të tolerojë askënd, ndërsa hetimet mund të çojnë në arrestime surprizë dhe zhvillime shokuese.

Por ky operacion vjen në një moment kritik për besueshmërinë e institucioneve dhe rrit presionin mbi politikanët për llogaridhënie. SPAK thekson se çdo vendim do të merret vetëm mbi bazën e provave të forta, duke dërguar një mesazh të qartë: asnjë nuk është mbi ligjin. Pra hetimet pritet të ndryshojnë panoramën e politikës shqiptare dhe të godasin në thelb rrjetet e pushtetit të korruptuar. Ndërkohë në përgjigje të interesit mediatik, SPAK ka sqaruar gjithashtu se gjatë viteve 2022–2024 janë dërguar letërporosi drejt autoriteteve të huaja për marrjen e materialeve hetimore shtesë nga aplikacione të enkriptuara si SKY ECC, EncroChat dhe ANOM. Këto aplikacione janë përdorur nga rrjete kriminale për komunikime të fshehta dhe hetimet ndërkombëtare kanë ndihmuar në zbardhjen e një sërë çështjesh të rënda penale në Europë dhe më gjerë. Nga ana tjetër SPAK i është drejtuar një pyetje edhe për hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit, se në cilën fazë janë. Por Prokuroria e Posaçme nuk jep detaje duke thënë se veprimet hetimore që kryhen gjatë fazës së hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor.

Pyetja: Lidhur me dosjen e 21 janarit, cilat janë veprimet konkrete që po kryen Prokuroria e Posaçme?

SPAK: Bazuar në nenet 103 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale veprimet hetimore që kryhen gjatë fazës së hetimit paraprak përbëjnë sekret hetimor. Duke iu referuar këtyre neneve nuk mund të bëjmë me dije veprimet hetimore apo rezultatet e tyre. Ndërsa pyetjes, “nga lista e deputetëve që kanë dalë nga zgjedhjet e 11 Majit, a ka persona nën hetim?”, SPAK i përgjigjet kështu: Emrat e përfshirë në listat e dërguara, nuk rezultojnë të jenë regjistruar deri tani si persona në hetim në regjistrin e njoftimit të veprave penale, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Krimet zgjedhore

Ndalur te bilanci për krimet zgjedhore, SPAK thotë se ka administruar 193 materiale kallëzuese, ku për 43 prej tyre ka nisur hetimi.

Nga 43 procedimet penale të regjistruar për krime zgjedhore:

-22 janë iniciuar mbi bazën e referimeve nga Policia e Shtetit.

-1 është referuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve

-9 janë nisur kryesisht nga SPAK.

-3 kanë ardhur si rezultat i kallëzimeve nga shtetas të ndryshëm.

-3 janë referuar nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.

-4 janë bazuar në kallëzimet e subjekteve politike.

-1 është ndarë nga një procedim tjetër penal

Nga 43 procedime penale të regjistruara gjithsej rezulton se :

-39 janë në hetim

-1 procedim penal është dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim.

-1 procedim penal është pezulluar.

-1 procedim penal është dërguar për kompetencë në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.

-1 procedim penal është bashkuar me një procedim tjetër penal.

Nga totali i procedimeve/hetimeve:

– procedime janë regjistruar për veprën penale të nenit 328 (korrupsionit aktiv në zgjedhje).

-4 procedime janë regjistruar për të dy nenet, respektivisht, sipas nenit 328 me nenin 328/b (korrupsioni aktiv/pasiv në zgjedhje).

-1 procedim është regjistruar sipas nenit 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike).

-1 procedim është regjistruar për të dy nenet, respektivisht nenit 328/a (përdorimi i funksionit publik për qëllime politike dhe nenit 248 (shpërdorimi i detyrës).

-1 procedim është regjistruar sipas nenit 329 (kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje).

-1 procedim i ndarë është regjistruar për të dy nenet, respektivisht, sipas nenit 328 me nenin 328/b (korrupsioni aktiv/pasiv në zgjedhje).