FAST Albania, në bashkëpunim me rrjetin ENFAST dhe homologët e saj në Holandë e Belgjikë, ka mundësuar lokalizimin dhe arrestimin në Belgjikë të shtetasit shqiptar Shkëlqim Vokri, 56 vjeç, banues në Dërmenas të Fierit, i cili kishte dokument me shtetësi holandeze.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga autoritetet holandeze, bazuar në urdhrin e arrestit europian dhe ndërkombëtar (EAW/IAW), pasi duhet të vuajë edhe 686 ditë burg të mbetura nga dënimi i dhënë për veprën penale të “Shkeljes së aktit për drogat”, që lidhet me transportin e 250 kilogramëve kokainë në Holandë.
Kjo sasi lënde të fortë narkotike në tregun e zi kap vlerën minimale prej 100 euro grami dhe në total arrin shifrën astronomike prej 25 milionë eurosh.
Operacioni u realizua pas shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet FAST Albania, strukturave të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, si dhe homologëve të FAST Holandës dhe FAST Belgjikës.
Policia e Shtetit deklaron se mbetet plotësisht e angazhuar në bashkëpunimin ndërkombëtar për lokalizimin, arrestimin dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me synim vendosjen e tyre përpara drejtësisë. /noa.al