Policia e Tiranës informon se ka nisur hetimin në gjendje të lirë për biznesmenin e ndërtimit Julian Morina, i njohur ndryshe si Lul Morina. Në njoftimin e bluve të Tiranës thuhet se hetimi ndaj Morinës ka nisur për shkak se dyshohet se ka kanosur për shkak të detyrës drejtuesin e portalit Timoni.al.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda pas komunikimit me Prokurorin nisën procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin J. M., 53 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur për shkak të detyrës shtetasin A. T., me detyrë administrator i një portali online”, informoi Policia e Tiranës.
Ishte vetë gazetari Toska që një ditë më parë denoncoi se ishte kanosur nga biznesmeni Morina, pas publikimit të një shkrimi.
“Morina më ka dërguar mesazhe fyese ndaj familjes sime dhe ka përdorur gjuhën e shantazhit për të më frikësuar. Ky veprim tregon qartë se Morina nuk ka asnjë argument kundër fakteve të publikuara, por përpiqet të heshtë të vërtetën me kërcënime.
Lul Morina është shembulli i qartë i asaj se si krimi i organizuar është integruar në politikë dhe ekonomi. Nga trafikant në vitet ‘90, ai është kthyer sot në “biznesmen të suksesshëm”, duke blerë vota për pushtetin dhe duke marrë leje ndërtimi në këmbim të shërbimeve të tij. Dhe sot, ai guxon të kërcënojë hapur gazetarë dhe qytetarë vetëm pse publikojnë të vërtetën.
Lul Morina duhet të hetohet, të ndëshkohet dhe të ndalet përpara se kërcënimi i tij të bëhet realitet për këdo tjetër që guxon të thotë të vërtetën. Ligji nuk mund të jetë armë në duart e pushtetarëve, ligji duhet të jetë mbrojtja e qytetarëve. Dhe nëse Policia dhe SPAK heshtin sot, nesër askush nuk do të ketë më besim tek shteti”, shkroi gazetari Toska.