E rëndë/ Gjendet pa shenja jete një person, ja dyshimet e para rreth ngjarjes

Sot rreth orës 14:30, një trup i pajetë është zbuluar në një banesë që ndodhet pranë qendrës së paraburgimit në pjesën veriore të Mitrovicës.

Lajmin e ka konfirmuar, zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Sipas Elshanit, personi i ndjerë banonte i vetëm dhe ishte i njohur për autoritetet si përdorues i substancave narkotike.

“Rreth orës 14:30 kemi marrë njoftim për një trup të pajetë në një banesë në afërsi të qendrës së paraburgimit në Mitrovicën e Veriut. Menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se bëhet fjalë për një person pa shenja jete. Shkaqet e vdekjes do të sqarohen pas mbërritjes së Mjekësisë Ligjore”, u shpreh Elshani.