Policët ekzekutohen gjatë tentativës për të arrestuar një person

Në qytetin e vogël Porepunkah, rreth 300 kilometra në verilindje të MelbUrnit, është regjistruar një ngjarje e rëndë me armë zjarri, ku dy efektivë policie kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur.

Oficerët ndodheshin në një pronë private për të zbatuar një urdhër arresti ndaj një personi të dyshuar për abuzim seksual, kur u zunë në befasi dhe u qëlluan. Sipas burimeve mediatike australiane, autori i sulmit u ka marrë armët viktimave pas ngjarjes.

Policia e Viktorias ka konfirmuar incidentin, duke bërë të ditur se nuk mund të japë detaje shtesë derisa situata të vihet plotësisht nën kontroll. Aktualisht, zona është e rrethuar nga forca të shumta të armatosura, përfshirë një automjet të blinduar dhe një helikopter. Për shkak të rrezikut, të gjitha objektet publike në rrethin e Alpine Shire janë mbyllur, ndërsa shkolla fillore e Porepunkah është izoluar që në orët e para të mëngjesit.

Australia, e njohur për ligjet e saj shumë të ashpra për armëmbajtjen që nga masakra e Port Arthur në vitin 1996, rrallëherë përballet me sulme të tilla ndaj policisë, gjë që ka shtuar tronditjen dhe reagimet e forta të opinionit publik.