“Kemi kërkuar oficerë por na thanë se …”/ KLGJ deklaratë ZYRTARE pas vdekjes së Astrit Kalasë

Në vijim të ngjarjes së rëndë që tronditi sistemin e drejtësisë shqiptare, ku gjyqtari Astrit Kalaja u vra brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit Tiranë, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë akt si sulm ndaj autoritetit të gjykatës dhe rendit kushtetues të vendit.

Në një deklaratë zyrtare, KLGJ shprehu ngushëllimet më të ndjera për familjen, kolegët dhe komunitetin gjyqësor, duke theksuar se drejtësia nuk mund të gjunjëzohet nga dhuna.

Këshilli zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme këtë të martë, ku shqyrtoi rrethanat e ngjarjes dhe analizoi situatën aktuale të sigurisë në gjykata. Në përfundim, u vendos që të bëhet publike të gjitha shkresat dhe komunikimet zyrtare që KLGJ ka pasur me institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë në ambientet gjyqësore, në emër të transparencës dhe informimit të publikut.

LEXO  Zjarri në restorantin e dasmave në Lezhë në pronësi të Zef Bekës, reagon këngëtari

Gjithashtu, KLGJ ngriti shqetësimin se Policia e Shtetit ofron aktualisht vetëm një punonjës sigurie në hyrjet kryesore të gjykatave, gjë që e bën sistemin të pambrojtur ndaj rrezikut.

Ngjarja e rëndë ka vënë në qendër të debatit mangësitë në siguri, por edhe nevojën për një vlerësim të ri të rrezikut që mbart profesioni i gjyqtarit në Shqipëri.

Në zbatim të pikës 2 të VKM Nr. 333, datë 28.04.2010, “Për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve shtetërore”, gjykatat duhet të ruhen nga punonjës të Policisë së Shtetit, për të garantuar rendin dhe qetësinë gjatë seancave gjyqësore. Jashtë orarit zyrtar, ruajtja kryhet nga “Illyrian Guard”, e cila është një kompani shtëtërore në varësi të Ministrisë së Mbrendshme.

Duke vlerësuar se gjykatat janë objekte të një rëndësie të veçantë, Këshilli ka paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se mungesa e prezencës efektive të policisë në sallat e gjyqit krijon risk serioz për sigurinë e gjyqtarëve, stafit dhe publikut.

LEXO  Lokali i tij u qëllua me 15 plumba, kush është Mondi Voga, ish-shoferi i Arjan Ndojës

Me shkresën nr. 5489/1 Prot., datë 02.11.2023, drejtuar Policisë së Shtetit dhe për dijeni Ministrisë së Brendshme, Këshilli ka kërkuar shtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit në ambientet e brendshme të gjykatave dhe sallave të gjykimit gjatë zhvillimit të seancave.

Në përgjigje, me shkresën nr. 9683/3 Prot., datë 11.12.2023, Policia e Shtetit ka njoftuar se “aktualisht e kemi të pamundur shtimin dhe planifikimin e punonjësve të policisë për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore, për shkak të limitit të kufizuar të personelit policor”.

Pas kësaj përgjigjeje, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shkresën nr. 5489/3 Prot., datë 15.12.2023, i është drejtuar zyrtarisht Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar ndërhyrje urgjente:

LEXO  SPAK fut përgjimin online, si në një “big brother” krejt krimi i organizuar dhe zyrtarët. Nuk ka më sekrete në rrjetet sociale…

“Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit të kërcënimeve ndaj gjyqtarëve, si pasojë e ushtrimit të detyrës, kërkojmë marrjen e masave për shtimin e organikës dhe planifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit për sigurimin e ambienteve të brendshme të gjykatave dhe prezencën e tyre gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore publike.”

Në këtë moment të rëndë për sistemin e drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor apelon për përgjegjësi të menjëhershme institucionale nga organet ligjzbatuese dhe ekzekutive, për të garantuar sigurinë fizike të gjyqtarëve dhe të gjithë pjesëmarrësve në proceset gjyqësore.

Ngjarje të tilla nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, ato kërkojnë reagim të fortë, sistematik dhe të koordinuar, në mënyrë që të mos përsëritet më kurrë një humbje jete në sallën e gjyqit, vendi ku drejtësia duhet të mbrohet, jo të rrëzohet

Lajme Te nGjashme