Xhaxhi tjetër i Elvis Shkambit, autorit të vrasjes së gjyqtarit, Astrit Kalaja ka kërcënuar sërish me plumba.
Në një komunikim për mediat, Gjovalin Shkambi ka deklaruar se ai gjyqtar që do të dënojë nipin e tij, Elvis Shkambi do të ketë fatin e Astrit Kalasë.
“Ata që do të dënojnë atë do të përballen me të njëjtën gjë. Ata që do të dënojnë nipin do të përballen me plumba, sepse ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit dhe gjithë qeverisë na i jepni pronën se e kemi blerë. Ai gjyqtari që do dënoj atë ka të njëjtën shpërblim, provat i dhamë”, tha Gjovalin Shkambi.
I pyetur nëse janë të penduar për krimin, ai tha: “Familjes së të ndjerit gjyqtar i kërkoj hallallin me kishë e xhami”.
Ai u shpreh se nuk i druhet hakmarrjes, duke kërcënuar sërish se “do ti hanë plumbat sic i hëngri Astrit Kalaja”.
“Në mënyrë absolute nuk i druhem hakmarrjes, kemi nisur luftën. Kur të dënojnë atë djalë, në sallë të gjyqit me plumba do të gjykohet. Se më ka prerë në besë shteti. Ia kam blerë shtetit. Nuk ka gjyqtar që e dënon. Do t’i hanë plumbat sikur i hëngri Astrit Kalaja!”.