Kushtet aktuale ekonomike nuk e mbështesin një hekurudhë të elektrifikuar sa i takon projektit Durrës-Rrogozhinë por kjo mund të bëhet në një fazë të mëvonshme. Të paktën kështu argumentohet në një raport të rishikuar në gusht të këtij viti në funksion të projektit dhe të publikuar nga Hekurudha Shqiptare.
Bëhet fjalë për përmbledhjen jo-teknike të azhornuar e cila lidhet me rindërtimin e kësaj linje. Të dhënat që kanë në bazë studimin e fizibilitetit të vitit 2018 dhe një seri dokumentesh të tjera të paketës mjedisore janë rifreskuar nga konsulenti ENOVA. Por çfarë thotë dokumenti lodhur me alternativat për këtë hekurudhë.
“Studimi i Fizibilitetit (SFFS, viti 2018) vlerësoi dy alternativa: Rehabilitimin e hekurudhës brenda trasës ekzistuese; Përmirësimin e profilit në plan horizontal për të përmbushur standardet evropiane të shpejtësisë. Opsioni i dytë u konsiderua më i favorshëm. Nga pikëpamja teknike alternativat përfshinin :mbajtjen e linjës jo të elektrifikuar ose modernizimin e saj në një linjë të elektrifikuar sipas standardeve evropiane.
Megjithëse kushtet aktuale ekonomike nuk e mbështesin menjëherë elektrifikimin, PD/DD përfshin plane për elektrifikim në të ardhmen për shkak të përfitimeve mjedisore siç janë përmirësim i cilësisë së ajrit dhe reduktim i emetimeve të gazeve serrë – GHG. Opsioni i përzgjedhur theksohet si përgjegjës nga pikëpamja mjedisore dhe sociale, duke shmangur ndikime të konsiderueshme negative dhe duke forcuar rezultatet sociale dhe ekonomike’ thuhet në dokument.
I njëjti bën një përmbledhje të terrenit që përshkon kjo linjë me gjatësi 33 kilometra dhe që merr një rëndësi të veçantë për zonën që mbulon sidomos në aspektin turistik. Konkretisht sipas dokumentit traseja e linjës hekurudhore ndjek linjën ekzistuese. Pika e nisjes është afër stacionit të Shkozetit (km 1+876) ndërsa pika e mbarimit: stacioni i Rrogozhinës.
Linja kalon nëpër zona urbane, gjysmë-urbane dhe rurale. Terreni është kryesisht i sheshtë, përveç një segmenti të shkurtër pranë Rrogozhinës, ku kalon përmes tunelit të Rrogozhinës. Nga km 1+376 deri në km 5+100 (Shkozet–Plepa), kalon në një zonë me dendësi të lartë popullsie.
Ky segment përfshin trekëndëshin e Shkozetit — nyja ku linja Tiranë–Durrës takohet me linjën Durrës–Rrogozhinë. Nga km 5+100 deri në km 15+000 (Plepa–Kavajë), kalon në terren të ulët dhe formacione kodrinore në lindje. Traseja horizontale ndjek autostradën Durrës–Rrogozhinë. Nga km 15+000 deri në km 28+000, kalon në terren pothuajse të sheshtë. Në km 19+120 ndodhet stacioni i Kavajës. Nga km 28+000 deri në km 35+384, traseja kalon në terren kodrinor ku ndodhet tuneli i Rrogozhinës (me gjatësi 380 m).
Projekti pritet të finanacohet nga disa pale ku së pari Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH/EBRD) e cila po shqyrton mundësinë e ofrimit të financimit për Republikën e Shqipërisë, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe operatori shtetëror i sistemit hekurudhor, Hekurudha Shqiptare (në vijim HSH ose “Kompania”.
Financimi i BERZH/EBRD do të plotësohet nga një kredi sovrane e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) dhe grante investimi nga Bashkimi Evropian (BE). Projekti do të implementohet nga HSH. Ky seksion është pjesë e Korridorit Pan-Evropian VIII dhe përfshin territorin e bashkive Durrës, Kavajë dhe Rrogozhinë./Monitor.al