Analisti Ilir Demaliaj ka folur sot në lidhje me vrasjen tronditëse të gjyqtarin Astrit Klaja, brenda Gjykatës së apelit në tiranë. Ai tha se është kundër vrasjes, por nga ana tjetër kupton dhe ndjenjat dhe ngarkesën e autorit. Ai shtoi se konfliktet e pronave dhe vendimet e padrejta të Gjykatave kanë marrë rreth 6 mijë jetë në Shqipëri.
“Unë jam kundër vrasjes në mënyrë kategorike, nuk ka të drejtë askush të vrasë askënd. Por duhet të futemi në analizë, se çfarë ndodh me njerëzit që dhunohen për shumë vite. Unë e kam vuajtur vetë në kurriz me pronën time. Imagjino unë që njoh njerëz, hyj e dal në zyra, sërish nuk e kam marrë dot.
Në Shqipëri, ka ndodhur që erdhën njerëz e thanë ‘tokë e xanun’. Këta i përdori politika për zgjedhje dhe i vunë hunjtë në toka publike dhe private dhe sot ata ndërtojnë prona në ata toka. Pastaj pronarët e vërtetë enden gjykatave. Çdo durim ka një kufi.
Por ky nuk është rasti i parë i vrasjes së një gjyqtari. Është vrarë edhe gjyqtari Slerdilajd Konomi, i cili sot e kësaj dite nuk dihet se përse u vra. Ka shumë indicie që është bërë për disa prona në jug, që i kanë zënë oligarkët e kanë ndërtuar resorte.
Njeriu ka gjak, emocione dhe ndjenja e padrejtësisë është ndjenja më e fuqishme që të çon në revoltë. Autori ndjeu çlirim psikologjik për padrejtësinë që i ishte bërë. Unë e kam paralajmëruar se do kërcasë arma. Sepse padrejtësia të çon tek vetëgjyqësia. Por janë vrarë rreth 6 mijë vet nga konfliktet e pronave dhe për shkak të vendimeve të gjykatave për këto çështje. Ne akoma vritemi për një pasqyrë makine, tjetri të kërcënon me armë se përse e parakalove. Por jemi dhe i njëjti vend që e nderojmë kriminelin. Ne nderojmë cubat, njerëzit e pushtetit që bëjnë krime. Dhe mos harrojmë, që kur kryeministri pastron Tiranën nga ozurpimi, themi ku është e drejta.”– tha analisti.