Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet sot në konferencën me gazetarët për qendrimin e tij lidhur me kandidatin opozitar Florian Binaj, i cili deklaroi në një dalje televizive se kur të vijë momenti i fushatës elektorale për bashkinë Tiranë ai nuk do të dalë përkrah Berishës apo aleatëve të tjerë të opozitës.
Në replikën e tij, Berisha tha se e përshëndet deklaratën e Binajt. Kreu i PD-së sqaroi se Florian Binaj nuk është kandidat jo-partiak i propozuar nga opozita, por kandidat i pavarur, i cili mbështetet nga opozita.
Për rrjedhojë kryedemokrati tha se si kandidat i pavarur, i cili ka mbështetjen e opozitës, Florian Binaj me të drejt mund të dalë në fushatë i vetëm pa u përfshirë me opozitën.
“Kandidati i pavarur, i cili kandidon në mënyrë të pavarur të cilin partitë politike e gjejnë të përshtatshëm për ta mbështetur në interesin më të mirë të qytetarëve, absolutisht. Nëqoftëse është i pavarur nuk ka pse të bëjë asnjë fushatë me kryetarët e partive. Po kryetarët e partive do angazhohen me të gjithë mundësitë e tyre për të mobilizuar elektoratin partiak për të votuar atë.
Pra e kundërta mendoj unë, do ishte jo reale. Nuk është kandidat i propozuar nga ne. Nuk është kandidat i partive opozitare, jopartiak. Jo është kandidat i pavarur të cilin partitë opozitare kanë vendosur ta mbështesin“, tha kreu i PD-së.
Sakaq ai theksoi se opozita do të angazhohet për të mobilizuar elektoratin partiak për të votuar Binajn.
“PD do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat e një spektri më të gjerë të mundshëm të shqiptarëve. Ajo është parti e interesit kombëtar dhe ka qenë e mbetet. Por kjo pastaj duhet të ketë edhe atribute të tjera që po përpiqet”, tha Berisha.
Gazetari: Florian Binaj tha se nuk do dalë në fushatë përkrahë Berishës e as liderëv të tjerë të opozitës, si e komentoni deklaratën?
Berisha: E përshëndes plotësisht këtë deklaratë. Ka një linjë, ka një grup, ka një rrymë të cilët vërtetë nuk realizojnë dot dallimin midis kandidatit të pavarur të mbështetur nga parti politike dhe kandidatit jo partiak, të propozuar nga parti politike. Kandidati jo partiak i propozuar nga parti politike, është kandidat i partisë politike.
Kandidati i pavarur, i cili kandidon në mënyrë të pavarur të cilin partitë politike e gjejnë të përshtatshëm për ta mbështetur në interesin më të mirë të qytetarëve, absolutisht. Nëqoftëse është i pavarur nuk ka pse të bëjë asnjë fushatë me kryetarët e partive. Po kryetarët e partive do angazhohen me të gjithë mundësitë e tyre për të mobilizuar elektoratin partiak për të votuar atë.
Pra e kundërta mendoj unë, do ishte jo reale. Nuk është kandidat i propozuar nga ne. Nuk është kandidat i partive opozitare, jopartiak. Jo është kandidat i pavarur të cilin partitë opozitare kanë vendosur ta mbështesin.
Gjatë një jave rresht unë jam marrë me çështjen e modelit, pikërisht për transparencë dhe jo të gjithë njerëzit e realizojnë modelin.
Pastaj rryma keqdashëse, ndjellakeqëse e cila e tërbuar nga fakti se, ky kandidat i pavarur ka premisa të ketë mbështetje të gjerë në elektoratin shqiptar të pavendosur, gri, por qoftë dhe të spektrit më të gjerë të mundshëm, kjo i tmerron. Çfarë tha ai, një gjë të bukur. Ogerta përfaqëson 100% Edi Ramën, kjo është e vërteta.
Dhe me këtë unë mendoj se, intervista e tij ishte intervista e një njeriut të ndershëm dhe të sinqertë para qytetarëve të Tiranës.
Ai aty, për herë të parë qytetarët nuk dëgjuan një politikan, apo qoftë dhe një përfaqësues jo partiak të partive politike, të flasë për partitë, të flasë për liderët, lavdinë e tyre, por foli vetëm për qytetarët.
Kam filluar punën 8 vjeç tha, dhe unë tha, njoh çdo lloj dhimbje, vuajtje, preokupimi të qytetarëve. Pra unë mendoj se, ai paraqiti veten ashtu siç është, një përfaqësues i qytetarëve të Tiranës.
Dhe ju garantoj ju dhe të gjithë shqiptarët, se pikërisht për këtë shkak ne e kemi mbështetur plotësisht. Tani, ka një kërkesë ndaj PD-së, shumë e ligjshme që kjo parti të ndryshojë dhe të hapet. Unë kam premtuar këtë. Unë ju garantoj se jam shumë serioz në ato që premtoj. E kam premtuar këtë dhe e konsideroj jashtëzakonisht të drejtë atë kërkesë të qindra e mijërave demokratëve, por edhe mbështetësve tanë.
Dhe ne në këto zgjedhje, duke adaptuar këtë model me kandidatura të pavarura, në mbështetje të kandidatëve të pavarur në 6 bashkitë që garojnë, besoj se bëmë një hap në drejtimin e duhur. Dhe kjo do të vazhdojë. PD do të bëjë gjithçka për të mbrojtur interesat e një spektri më të gjerë të mundshëm të shqiptarëve. Ajo është parti e interesit kombëtar dhe ka qenë e mbetet. Por kjo pastaj duhet të ketë edhe atribute të tjera që po përpiqet.
Ky ishte thashë një hap shumë i rëndësishëm, hapa të tjerë do bëhen. Demokratët duhet ta dinë. Iku koha kur PD-ja mbrohej nga një agresion mafioz kombëtar dhe ndërkombëtar. Tani është në sulm. Tani para shqiptarëve dhe Zotit, dhe miqve të saj, ka faktuar se është e përkushtuar dhe e vendosur të mbrojë vlerat e vërteta. Kjo është.
