Kombëtarja e Shqipërisë do të përballet nesër me Serbinë në një ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.
Në prag të sfidës, trajneri Silvinjo dhe kapiteni Elseid Hysaj kanë dalë në një konferencë për shtyp, ku kanë folur për pritshmëritë dhe atmosferën në skuadër.
Trajneri Silvinjo e cilësoi këtë sfidë si shumë të rëndësishme, por shtoi se çdo ndeshje në këtë fazë ka peshën e vet.
“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Sot po, absolutisht. Një muaj më parë ishte ndaj Letonisë, nëse nuk fitonim nuk do kishte sens. Nëse fitojmë, do jetë me Andorrën në vazhdim më e rëndësishmja. Është emblematike dhe e bukur. Besoj do jetë e bukur”, u shpreh Silvinjo.
I pyetur për përgatitjet në fazën ofensive, trajneri i kuqezinjve theksoi se skuadra ka punuar me intensitet dhe se është gati për sfidën e nesërme.
“Siç e thashë, është ndeshje e bukur dhe ndryshe. Kemi pasur stërvitje të vazhdueshme në Tiranë, duke përdorur videot, duke shkuar në fushë dhe duke korrigjuar. Dje kemi zhvilluar stërvitje të nivelit të lartë. Të gjithë janë të gatshëm dhe i janë përgjigjur stërvitjes.”
Në lidhje me mungesën e golit, Silvinjo tha se nuk është i shqetësuar:
“Nuk më shqetëson mungesa e golit, është pika e fundit e futbollit. Sigurisht që ndërtohet për të shkuar te goli. Kam besim te të gjithë lojtarët dhe te mënyra se si janë përgatitur gjatë këtyre ditëve.”