Mbesa e 68-vjeçarit grek, i cili u gjet i vrarë bashkë me mikun e tij shqiptar në një kamping në Finikounda, ka rrëfyer për mediat detaje tronditëse rreth marrëdhënieve brenda familjes dhe mënyrës se si i ndjeri i trajtonte njerëzit përreth. Sipas saj, xhaxhai ishte një njeri autoritar dhe kërkonte bindje të plotë nga të gjithë ata që vareshin prej tij. “Ata që vareshin prej tij duhej t’i bënin të gjitha nderet, përndryshe i linte në baltë,” ka deklaruar ajo, duke shtuar se i ndjeri kishte ndërtuar një pasuri që arrinte deri në 30 milionë euro.
Në dëshminë e saj, mbesa ka treguar se viktima kishte një marrëdhënie të veçantë me mikun shqiptar, të cilit i kishte lënë një pjesë të madhe të testamentit. “E kishte shumë për zemër, i blinte rroba të shtrenjta, madje i kishte dhuruar edhe një Mercedes,” ka pohuar ajo. Megjithatë, brenda familjes nuk mungonin tensionet, pasi 68-vjeçari kishte pasur më herët konflikte me nipin e tij për një shumë prej 20 mijë eurosh, megjithëse marrëdhëniet ishin përmirësuar kohët e fundit.
Sipas mbesës, viktima kishte shprehur frikë se nipi mund të përfitonte nga vdekja e tij, duke marrë një pjesë të madhe të pasurisë. Ajo theksoi se xhaxhai e kishte nisur jetën nga e para dhe kishte punuar fort për të ndërtuar gjithçka, por kërkonte që njerëzit përreth të respektonin autoritetin dhe rregullat e tij. Ndërkohë, hetimet për vrasjen e trefishtë vijojnë, teksa autoritetet greke po përpiqen të zbardhin motivet e ngjarjes që ka tronditur opinionin publik.