Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria do të jetë ndër vendet e para në Europë që do të implementojë identitetin dixhital, përpara afatit të parashikuar nga Bashkimi Europian për vitin 2027.
Ai shtoi se inovacioni dhe inteligjenca artificiale po shihen si baza për transformimin e mëtejshëm të shtetit dhe shërbimeve publike.
“BE synon që deri në vitin 2027 çdo qytetar të ketë identitetin dixhital. Ne do ta realizojmë këtë një vit më parë. Nuk e them për të shpallur ndonjë përparësi, por për të theksuar se teknologjia është një bekim i kohës që i jep përparësi vendeve që e përqafojnë,” u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se identiteti dixhital është një hap kyç për kalimin drejt një ekonomie më të formalizuar dhe transparente, duke reduktuar informalitetin dhe abuzimet në zinxhirin ekonomik.
“Dua të përqendrohem tek ky moment i sotëm, tek identiteti dixhital, i cili është një instrument i domosdoshëm për të realizuar planin e kalimit nga paraja ‘cash’ në transaksionet dixhitale. Kjo do të thotë më shumë siguri për konsumatorët, transparencë për biznesin dhe më shumë të ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit dhe që në një masë të madhe mbetet jashtë duarve të tij për shkak të informalitetit dhe trukeve të ndryshme, që do të reduktohen, në mos të asgjësohen, falë transaksioneve dixhitale dhe tatimit mbi vlerën e shtuar,” deklaroi ai.