“Ramës i ka dalë loja nga kontrolli”/ Afera e aeroportit, reagon gazetari: Interesi i Belinda Ballukut, që aksionet…

Gazetari Armand Shkullaku i ftuar në një studio televizive, ka folur në lidhje me aferën e aeroportit të Vlorës, ku mediat shkruajnë se, dikush po kërkon ti marrë aeroportin investuesit Bexhet Pacolli.

Sipas Shkullakut, në pamje të parë duket se kemi të bëjmë me një konflikt mes dy partnerëve, por sipas tij, në fakt gara ka qenë e trukuar që në fillim.

Shkullaku shprehet se, në këtë aferë ka qenë edhe një investitor i tretë, kompani turke e cila zotëronte 40% të aksioneve, që ka qenë thelbësore për krijimin e imazhit të një gare legjitime, aksione që më pas janë shitur për 4 mijë euro.

Në plan të parë duket se është një konflikt i brendshëm mes dy partnerëve. Por kjo është histori që do ta zgjidhin gjykatat. Këtu ka qenë dhe një aksion tjetër, turqit, që kanë pasur 40 përqind, sepse pa turqit gara për aeroportin nuk do të bëhej. Gara këtu ka qenë e trukuar që në fillim. Pra po marrim turqit për letra dhe më mbrapa po vazhdojmë, siç ndodhi me tunelin e Llogarasë,’ deklaroi Shkullaku.

Ai shton se situata ka dalë jashtë kontrollit të kryeministrit Edi Rama në momentin që ka shpërthyer konflikti i brendshëm mes Pacollit dhe partnerit tjetër, duke theksuar gjithashtu mënyrën e pazakontë të kalimit të aksioneve.

‘Këtu Ramës i ka dalë loja nga kontrolli, në momentin që ka pasur një konflikt të brendshëm, Pacolli me Ademin. Këtu nuk është bërë ndonjë problem i madh, kur në QKB është shkruar se, aksionet e turkut i kanë kaluar Bexhet Pacollit për 4 mijë euro. Këtu është bërë një truk,’ u shpreh ai.

Shkullaku akuzoi se pas kësaj skeme fshihet një marrëveshje e fshehtë dhe një interes personal i njerëzve pranë qeverisë shqiptare.

‘Edi Rama ka përdorur turqit dhe Bexhet Pacollin për të bërë një garë të trukuar. Cili ka qenë interesi i qeverisë shqiptare, jo i qeverisë, por i Edi Ramës, Belinda Ballukut, apo dikujt tjetër pranë Edi Ramës, që aksionet e turkut për nderin që ka bërë, të konvertohej në aksione nëpërmjet dikujt tjetër, kjo ekziston si teori.’

Gazetari e mbylli analizën e tij duke dhënë një paralajmërim për të gjithë ata që zgjedhin të bashkëpunojnë në projekte të trukuara dhe me figura të lidhura me pushtetin autokratik.

‘Thelbi i gjithë kësaj është se, po u fute në një garë të trukuar, po u fute të bashkëpunosh me autokrat të trukuar, mos njëherë, mos njëherë tjetër, se Pacollit i kanë dalë probleme edhe herë të tjera, në Kremlin, në vende të tjera, kështu që dhe me Edi Ramën, do i dilte diçka e tillë.’

Next