Kthesë e papritur në konfliktin e Ukrainës, Europa rreshtohet pas Trump

Udhëheqësit evropianë i janë bashkuar presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky në këmbënguljen që çdo bisedë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të fillojë me ngrirjen e vijës aktuale të frontit dhe paralajmëruan se Rusia nuk e merr seriozisht paqen.

Në një deklaratë të nënshkruar nga 11 udhëheqës, përfshirë kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ata thanë se “mbështesin fuqimisht” qëndrimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se “luftimet duhet të ndalen menjëherë dhe se vija aktuale e kontaktit duhet të jetë pika fillestare e negociatave”.

Por ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të martën ka hedhur poshtë idenë e ndalimit të konfliktit në vijën aktuale të kontaktit.

Moska është e interesuar vetëm për “paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme”, ka thënë Lavrov, duke nënkuptuar se ngrirja e vijës së frontit do të përbënte vetëm një armëpushim të përkohshëm.

Deklarata evropiane iu referua “taktikave zvarritëse të Rusisë”, duke treguar se sa i paepur mbeti qëndrimi i Moskës.

Trump, i cili në shumicën e rasteve ka pasur një ton pajtues ndaj Rusisë, tani po planifikon bisedime të drejtpërdrejta me Putinin në Budapest – megjithëse data për një takim përgatitor midis sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio dhe Lavrov duket se po vonohet.

Presidenti amerikan ka folur në telefon me Putinin javën e kaluar, një ditë para se të takohej me Zelenskyn dhe ekipin e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Disa burime i kanë thënë mediave se Trumpi i ka bërë presion udhëheqësit ukrainas të hiqte dorë nga zona të mëdha territori në rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut, të njohura si Donbas, si pjesë e një marrëveshjeje me Rusinë.

LEXO  Çfarë do të ndodhë me ekonominë botërore nëse Irani bllokon Hormuzin?

Disa raportime sugjeruan se mes delegacioneve kishte pasur tensione. Mirëpo Zelensky i ka përshkruar bisedimet vetëm si “të sinqerta”.

Presidenti ukrainas shpesh e ka përjashtuar tërheqjen nga rajoni, duke argumentuar se Rusia mund ta përdorë atë si një trampolinë për sulme të ardhshme.

“Unë shpjegova gjatë vizitës sime në Uashington javën e kaluar se qëndrimi i Ukrainës nuk ka ndryshuar”, ka thënë ai të hënën.

Edhe pse Rusia ka pushtuar pjesën më të madhe të Luhanskut, Ukraina ka nën kontroll rreth një të katërtën e Donetskut, duke përfshirë qytetet kryesore të Slovyanskut dhe Kramatorskut.

Trumpi, i cili më vonë ka mohuar se ka këmbëngulur ndonjëherë që Zelensky të dorëzojë Donbasin, ka thënë se është pro idesë së një armëpushimi në vijat aktuale të frontit.

Trumpi dhe Putini janë takuar për herë të fundit në Alaska në gusht, gjatë një samiti të organizuar me nxitim, i cili dha pak rezultate ndërkohë që i dha fund statusit të Putinit si një i përjashtuar nga Perëndimi.

Për një kohe pas bisedimeve, Trumpi ka hedhur idenë e organizimit të një samiti dypalësh Putin-Zelensky.

Por Rusia ka thënë se një takim i tillë varej nga “shkaqet rrënjësore” të luftës që trajtoheshin së pari, dhe ideja përfundimisht u hodh poshtë në heshtje nga të gjitha palët. Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë në detyrë, Trumpi është ankuar se lufta ruso-ukrainase, tani në vitin e saj të katërt, është “e vështirë” për t’u zgjidhur.

Lajme Te nGjashme