Zbardhet dëshmia e kamerierit për vrasjen e dyfishtë në Manzë: “Danieli më ofendoi pasi s’i bëra kafen, Flori ndërhyri për të më dalë në krah”
Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike që tronditi Manzën e Durrësit, ku një debat banal për një kafe përfundoi me dy viktima. Kamerieri i lokalit, Alteo Pepa, 21 vjeç, ka rrëfyer para hetuesve momentet e tensionit që çuan në përplasjen me armë.
Sipas dëshmisë së tij, në lokal ndodheshin pesë persona kur Daniel Pepa i kërkoi t’i përgatiste një kafe, por ai refuzoi sepse ekspresi ishte fikur që në mesnatë. “Danieli erdhi në lokal dhe më kërkoi një kafe. I thashë që nuk ta bëj dot, sepse ekspresi kërkon kohë të ngrohet. Ai më ofendoi dhe ngulmoi t’ia bëja. Nuk i ktheva përgjigje, por ndërhyri Flori Paluçi, i cili i tha Danielit të mos më fyente. Pas debatit, të dy dolën jashtë lokalit,” – ka deklaruar kamerieri.
Hetimet paraprake tregojnë se jashtë lokalit debati është përshkallëzuar dhe ka degjeneruar në përdorim armësh. Flori Paluçi dyshohet se ka qëlluar i pari, duke vrarë Arianit Kurtin, ndërsa Daniel Pepa ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar ndaj Paluçit, i cili mbeti i vdekur në vend.
Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm konfirmojnë versionin e dhënë nga kamerieri, ndërsa policia ka shoqëruar pesë persona që ishin në lokal për t’i marrë në pyetje.
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e armëve dhe dinamikën e saktë të vrasjes së dyfishtë që tronditi zonën.
Çfarë deklaroi policia:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 01:45 të datës 22.10.2025, në Manëz, pranë një karburanti, pas një konflikti dyshohet për motive të dobta, kanë mbetur të vrarë me armë zjarri shtetasit A. K., 23 vjeç, dhe F. P., 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Nga veprimet e para hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, dyshohet se shtetasi F. P. është vrarë me armë zjarri nga shtetasi D. P., 21 vjeç, banues në Manëz, ndërsa shtetasi A. K. dyshohet se është vrarë nga shtetasi F. P.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive për kapjen e shtetasit D. P.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit, po vijon punën në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje dhe administrimin e çdo prove, me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.