Janë zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes së rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Manëz të Durrësit, ku dy të rinj humbën jetën pas një përplasjeje me armë zjarri në një lokal pranë një karburanti.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, 21-vjeçari Daniel Pepa, së bashku me 23-vjeçarin Arianit Kurti, kanë hyrë në lokal rreth orës 01:45 të mëngjesit.
Daniel Pepa i ka kërkuar kamerierit që t’i sillte një kafe, por ky i fundit është përgjigjur se ekspresi ishte i fikur dhe nuk mund të përgatiste kafe në atë moment.
Pas kësaj, Danieli ka këmbëngulur që kamerieri të ndizte ekspresin, duke përdorur gjuhë fyese ndaj tij ndërsa në atë çast ka ndërhyrë Flori Paluçi, 33 vjeç, i cili i ka thënë Danielit:
“Nuk mund ta fyesh kamerierin, pasi ai është ulur në tavolinë me mua.”
Kjo ndërhyrje ka tensionuar më tej situatën, dhe pas një debati verbal të ashpër mes tyre, konflikti ka degjeneruar në përdorimin e armës së zjarrit.
Sipas dinamikës paraprake të konfirmuar nga hetuesit, i pari që ka qëlluar me armë ka qenë Flori Paluçi, i cili ka vrarë në vend Arianit Kurtin, shokun e Danielit. Më pas, në reagim të menjëhershëm, Daniel Pepa ka qëlluar për vdekje Flori Paluçin.
Aktualisht, Daniel Pepa është shpallur në kërkim nga policia, ndërsa kontrollet në terren vijojnë për kapjen e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sigurimin e provave.