Një ngjarje tronditëse ka tronditur Milanon mëngjesin e së martës, kur një grua 55-vjeçare u sulmua me thikë nga ish-bashkëshorti i saj në mes të rrugës. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:50 në pjesën veriore të qytetit, ku kalimtarët e rastësishëm e gjetën viktimën të shtrirë në trotuar, të mbuluar me gjak dhe pa ndjenja.
Ekipet e urgjencës mbërritën menjëherë dhe e transportuan gruan në gjendje shumë kritike drejt spitalit Niguarda. Mjekët thanë se ajo kishte plagë të shumta nga goditjet me thikë, përfshirë edhe një plagë të rëndë në qafë që kishte prekur enë jetike të gjakut. Kirurgët ndërhynë me urgjencë për t’i shpëtuar jetën.
Sipas hetimeve paraprake, sulmi dyshohet se ka nisur brenda banesës së saj, ndërsa gruaja është përpjekur të arratiset për të kërkuar ndihmë. Agresori, një burrë 64-vjeçar, është parë duke u larguar me motor dhe me fytyrën e mbuluar nga një helmetë. Ai ndodhet ende në arrati, ndërsa karabinierët po e kërkojnë intensivisht.
Dëshmitarë dhe fqinjë tregojnë se pak çaste para sulmit janë dëgjuar britma, ndërsa në rrugë janë vërejtur gjurmë gjaku. Sipas tyre, burri e kishte ndjekur ish-bashkëshorten për disa javë, çka ngre dyshime për dhunë të përsëritur dhe përndjekje.
Çifti kishte qenë i martuar për disa vite, por ishte ndarë tre vite më parë për arsye financiare. Autoritetet po hetojnë nëse viktima kishte bërë më parë ndonjë denoncim për dhunë apo kërcënime ndaj ish-partnerit.
**Dëshmitë e para**
“Dëgjova një britmë, shikova nga dritarja dhe një vajzë më tha: ‘E kanë goditur rëndë! Ka shumë gjak!’”, tregoi për mediat lokale Antonietta, fqinja e viktimës, e identifikuar si Luciana Ronchi.
“Ajo më tha që ai e kishte rrahur për vdekje. Nuk pa nëse kishte thikë, por e pa që po e godiste fort. Burri u largua me motoçikletë dhe mbante helmetë, ndaj askush nuk ia pa fytyrën,” shtoi ajo.
Një tjetër banor tha se Luciana ishte një grua e qetë dhe shumë e dashur, që adhuronte kafshët. “Kishte një qen të sëmurë që e trajtoi me çdo kusht, edhe pse nuk kishte shumë para. Ishte njeri i mirë, e qetë dhe e sjellshme,” rrëfeu ai.
Autoritetet italiane po vijojnë kërkimet për autorin dhe po mbledhin prova për të zbardhur plotësisht motivin e ngjarjes që ka tronditur Milanon.