Apeli i GJKKO ka rrëzuar ankimimin e ish-presidentit Ilir Meta për ndryshimin e masës së sigurisë, duke lënë në fuqi masën “arrest në burg”.
Ankimimi i tij në Apel erdhi një ditë pasi GJKKO rrëzoi kërkesën e Ilir Metës për shuarjen e masës së sigurisë arrest me burg.
Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit 2024, i akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe pasuritë e padeklaruara. Dosja u dërgua për gjykim në fund të gushtit nga SPAK.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani tha një ditë më parë se gjykata krijoi precedent të rrezikshëm me zotin Meta, pasi sipas tij janë ezauruar afatet për qëndrim në paraburgim.
Carkani tha se nuk ekziston asnjë rrezik që Ilir Meta të ndikojë apo të prishë provat në këtë fazë të procesit, duke argumentuar se çdo masë sigurie tashmë është e pajustifikuar.
Ai akuzoi sistemin gjyqësor për mungesë të verdikteve të pafajësisë dhe për kthimin e sallave të gjyqeve në “toga pushkatimi”.
