Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një debat të drejtpërdrejtë me kryetarin e Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari, gjatë takimit me drejtuesit vendorë për zbatimin e “Paketës së Maleve”.
Rama kritikoi kryebashkiakun Hajdari për mosdërgimin e hartës së zonave prioritare në qeveri dhe i tha se ende nuk e ka kuptuar procesin ligjor të paketës dhe kompetencat që kanë bashkitë në këtë fazë.
“Ti, Kreshnik, çfarë të ka penguar që të bësh hartën e zonave prioritare dhe ta dërgosh në qeveri? Pse nuk e ke dorëzuar, ku e ke dorëzuar?”, pyeti Rama gjatë debatit.
Në përgjigje, Hajdari deklaroi se bashkia i ka shpallur zonat prioritare dhe është duke pritur përgjigje nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK).
Kjo deklaratë solli reagimin e menjëhershëm të kryeministrit, i cili tha se bashkia nuk duhet të presë nga ASHK, pasi procesi i “Paketës së Maleve” funksionon ndryshe.
“Nëse ti pret përgjigje nga ASHK, nuk ke kuptuar ligjin dhe as paketën. Kjo nismë është ‘ilaçi’ për një dhimbje 30-vjeçare të njerëzve që e kanë tokën, por nuk kanë dokumentet ligjore. Paketa është krijuar që t’u hapë rrugën investimeve pa burokraci të tepërta,” – tha Rama.
Kryeministri shtoi se procesi po ecën me ritëm të ulët dhe se kjo po dekurajon qytetarët që kanë shprehur interes për të investuar në pronat e tyre. Ai theksoi se “Paketat e Maleve” janë konceptuar për të lehtësuar procedurat, jo për t’i ndërlikuar ato.
“Kjo vonesë është e kundërta e frymës me të cilën u miratua paketa. Ligji 20/20 nuk dha rezultatin e dëshiruar, sepse përfshinte procedura të ndërlikuara për miratimin nga të gjithë kufitarët e pronave. Kjo paketë synon ta zgjidhë këtë problem dhe të krijojë një proces të thjeshtë e të qartë për investime në zonat malore,” – nënvizoi Rama.
Rama u kërkoi të gjithë kryetarëve të bashkive që të dorëzojnë menjëherë hartat e zonave të përshtatshme për zbatimin e paketës, duke përjashtuar vetëm territorët e mbrojtura me status ligjor.
