Kreu i PD, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për “heshtje dhe mashtrim”, pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sipas Berishës, raporti konfirmon se procesi elektoral ka qenë “një farsë e vërtetë”, duke theksuar se përpjekjet e qeverisë për të ndikuar tek misionet ndërkombëtare kanë dështuar.
“Edi Rama ka zgjedhur heshtjen dhe mashtrimin për të mbuluar dështimin e tij të plotë dhe total në ndryshimin e raportit fatal për zgjedhjet parlamentare të 11 majit të vëzhguesve ndërkombëtarë”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, vetëm gjatë fushatës janë regjistruar 4,500 shkelje të kodit zgjedhor, përmes aktiviteteve të ndaluara, që sipas Berishës kanë përfituar qindra milionë euro fonde për të ndikuar votën e qytetarëve.
“4500 ngjarje, që po t’i llogarisësh, përbëjnë një shumë prej dhjetëra e qindra milionë eurosh, të përdorura vetëm për të ndikuar votën e qytetarëve shqiptarë gjer ditën e fundit 7 milionë euro për organizatën private të Giro D’Italia,” tha Berisha.
Pjese nga deklarata e Berishes:
Edi Rama paturpësisht iu drejtoi pyetjen, duke menduar se do i trembte, ku i keni faktet për ato që keni shkruar.
Igli Hasani, e keni parasysh letrën e tij kërcënuese, që e mohonin.
Por në raportin që unë shpresoj të mos jetë fake, të jetë real, që është vendosur në internet, rezulton se nuk është hequr asnjë presje.
Aty faktohet se në kundërshtimet me parimet ndërkombëtare, Edi Rama i ka shndërruar punonjësit e administratës në patronë të urryer të shqiptarëve për votën.
Aty faktohet se janë përdorur bonuse për votën, dhuratë për votën 100 euro për pensionistët.
Faktohet se është përdorur falja e gjobave 200 milionë për votë.
Faktohet se janë dhënë 138 licenca për 28 mijë hektarë tokë të mbjellë me kanabis.
Pra, faktohet se u dhanë 500 milionë euro prokurime në kundërshtim më ligjin për të blerë vota.
Faktohet përdorimi i punësimit të përkohshëm në mijëra raste për të blerë vota.
Faktohet terrori mbi punonjësit e administratës për të votuar.
Faktohen pra të gjitha mënyrat për të kontrolluar vullnetin e qytetarëve për votën.
Në raport, lexojeni një frazë, po të mos bënin këto, zgjedhjet do ishin më afër zgjedhjeve të lira.
Pra, janë në Siberi krahasuar me distancën tani.
Nuk janë kërkund.
Janë zgjedhje farsë.
Faktohet angazhimi në një seri qytetesh të karteleve të drogës dhe bandave për të rrëmbyer votën.
Faktohet qëndrimi antiligjor në raport me ankesat.
Angazhimi i të gjitha resurseve të administratës njëlloj si në partinë shtet. U shuan linjat e ndarjes së partisë nga shteti, thotë raporti.
Vetëm ky moment është i mjaftueshëm ky element për të gjithë ata që kanë kulturën elektorale minimale për të kuptuar se zgjedhjet ishin një farsë.
Në kushtet e partisë shtet kurrë nuk mund të ketë zgjedhje të tjera përveçse farsë.
Kurrë nuk ka.
Faktohet që Shqipëria është një diktaturë autoritare që kontrollon votën e shqiptarëve.
