Kroacia vendos shërbimin ushtarak të detyrueshëm, 18 mijë të rinj përfshihen çdo vit

Parlamenti kroat ka miratuar rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, në përpjekje për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të vendit, në një periudhë të tensionuar ndërkombëtare që shënohet nga rritja e kërcënimeve globale dhe lufta në Ukrainë.

Zagrebi e kishte shfuqizuar detyrimin ushtarak në vitin 2008, një vit para anëtarësimit në NATO, duke u mbështetur që prej asaj kohe te forcat profesionale. Por autoritetet kroate thonë se situata e re gjeopolitike kërkon rikthimin e trajnimit bazë ushtarak për qytetarët e rinj.

“Po shohim një rritje të llojeve të ndryshme të kërcënimeve, që kërkojnë gatishmëri dhe reagim efektiv nga e gjithë shoqëria”, deklaroi ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, duke theksuar se “mbrojtja kombëtare është thelbësore ndaj çdo kërcënimi”.

Sipas planit, rreth 18 mijë të rinj do të thirren çdo vit, duke filluar nga viti 2026, për trajnim dy mujor ushtarak pas mbushjes së 18 vjeçëve.

Gratë do të përjashtohen nga detyrimi, ndërsa ata që kundërshtojnë shërbimin me armë do të mund të kryejnë shërbim civil prej 3 deri në 4 muaj, duke ndihmuar në operacione emergjente apo përballje me katastrofa natyrore.

LEXO  Murrizi: Pse s’flet Jorida, Gazi, Gjekmarkaj, Albana apo Belindi, për Bankersin? Po ti doktor Alimehmeti pse nuk e hap gojën, apo akoma s’ju lë Luli?

Për zbatimin e këtij vendimi, parlamenti ka ndryshuar dy ligje.
Nga 151 deputetë, 84 votuan për ndryshimet në ligjin për mbrojtjen dhe 110 miratuan amendamentet në ligjin për shërbimin ushtarak.

Të rinjtë që do të kryejnë ushtrinë do të paguhet me 1,100 euro në muaj, ndërsa shuma për shërbimin civil nuk është bërë ende e ditur. Ata që përfundojnë shërbimin ushtarak do të kenë përparësi në punësimet publike.

Megjithatë, opozita e majtë e ka kritikuar ligjin, duke e cilësuar diskriminues ndaj grave dhe atyre që zgjedhin shërbimin civil, pasi për ta nuk parashikohen as paga të barabarta, as përfitime në sektorin publik.

Kroacia, me një popullsi prej 3.8 milionë banorësh, është anëtare e Bashkimit Evropian që prej vitit 2013.

Lajme Te nGjashme