Një mur anësor është shembur në lagjen “Pazari i Vjetër” në qytetin e Gjirokastrës, duke shkaktuar bllokimin e rrugës dhe dëmtimin e një automjeti të parkuar pranë vendngjarjes.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Lagjja “Pazari i Vjetër” është një nga zonat më të njohura dhe historike të qytetit të gurit, ku jetojnë rreth 20 familje.
Përveç banorëve, ajo frekuentohet çdo ditë nga turistë vendas dhe të huaj, të cilët vizitojnë rrugicat me kalldrëm dhe shtëpitë karakteristike të zonës muzeale.
Dyshohet se lagështira si pasojë e reshjeve të dendura gjatë natës dhe mungesa e mirëmbajtjes ndër vite, mund të kenë ndikuar në rrëzimin e murit, në një zonë ku ndërtimet kanë vlera të mëdha historike, por kërkojnë kujdes të vazhdueshëm.



