Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, AMP ka arrestuar një inspektor në Vlorë. Arrestimi i inspektorit ka ardhur pasi ai rezultoi pozitiv në testin e alkoolit.
Në njoftim AMP thekson se një qytetar ka pretenduar se dy punonjës policie e kanë ndaluar në zonën e Ujit të Ftohtë, duke u prezantuar me një sjellje jo etike. Pas kryerjes së testit të alkoolit, polici i arrestuar ka rezultuar pozitiv.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë Inspektor H. I., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshmë në Komisariatin e Policisë Vlorë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” parashikuar në nenin 291 të Kodit Penal.
Arrestimi i tij u krye pas telefonatës së një shtetasi në sallën operative mbrëmjen e djeshme, i cili pretendon se dy punonjës policie e kanë ndaluar në zonën e Ujit të Ftohtë, duke u prezantuar me një sjellje jo etike. Pas verifikimit me testin matës së alkoolit, punonjësi H. I., ka rezultuar pozitiv në masën 0.82 mg/l. Ndaj punonjësit të policisë E. A., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Vlorë, do të vijojë procesi i hetimit disiplinor”, njofton AMP.
