Zbardhet tenderi që “GROPOSI” në SPAK, Belinda Ballukun

Hetimet për aferat në tenderat publikë kanë prekur tashmë nivelet më të larta të qeverisë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh zv.kryeministre, Belinda Balluku është marrë nzyrtarisht nën hetim nga SPAK, në lidhje me tenderin për “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë”, një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në jug të vendit.

Procedura e tenderimit, e hapur më 12 shkurt 2021, kishte një fond limit prej 19,180,880,463 lekësh – afro 2 milionë euro, të financuara nga Buxheti i Shtetit.

SPAK konfirmoi sot se po shqyrton procedurat e përjashtimit të disa operatorëve ekonomikë dhe favorizimin e një grupi kompanish, mes të cilave edhe bashkime biznesesh që më herët kanë pasur lidhje me ish-drejtorë të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Sipas dokumenteve të siguruara nga Piranjat, rezulton se tenderi u shpall si i hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, por në mënyrë të papritur u anullua nga institucioni prokurues, duke ngritur dyshime për ndërhyrje administrative dhe ndikim politik në vendimmarrje.

Emri i Ballukut në dosjen e SPAK

Balluku ka marrë statusin e “personit nën hetim”, në kuadër të dosjes që përfshin disa zyrtarë të nivelit të lartë të ministrisë dhe të ARRSH-së. Hetuesit po verifikojnë nëse ka pasur ndikim nga ana e saj në përzgjedhjen ose përjashtimin e operatorëve, si dhe nëse janë shkelur parimet e konkurrencës së ndershme dhe transparencës.

Rasti i Ballukut vjen në një moment kur ish-drejtori i ARRSH, Ervis Berberi, dhe 21 zyrtarë të tjerë ndodhen tashmë në proces gjyqësor për akuza të ngjashme, mes tyre “shpërdorim detyre”, “favorizim të operatorëve ekonomikë” dhe “korrupsion pasiv”.

SPAK po shqyrton nëse e njëjta skemë e ndikimit në tendera publikë është përdorur edhe në projekte të tjera të mëdha infrastrukturore./piranjat.al

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.