Belinda Balluku është parë në një kafene në kryeqytet pasi kreu homazhet në ceremoninë e lamtumirës për ish-kryeministrin Fatos Nano.
Balluku shihet e shoqëruar nga një grup socialistësh, ndër ta ish-ministrja dhe aktualisht kandidatja e PS-së për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja si dhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Pas përfundimit të kafesë, Balluku është parë në ambientet e jashtme të lokalit duke biseduar me Ogerta Manastirliun, teksa grupi tjetër i ish ministrave dhe ministrave socialistë kanë qëndruar për rreth 20 minuta në këmbë duke i pritur.
Siç mëson Voxnews.al, në një moment, një prej tyre i është drejtuar Ballukut duke i thënë “Po ikim ne”, ndërsa ajo ia ka kthyer “Ikni se do ju mbledh për kafe”.
Ndonëse është e paqartë se çfarë ka nënkuptuar Balluku me shprehjen “do ju mbledh për kafe”, duke qenë se sapo ishin çuar nga një e tillë, duket se kjo është më tepër një metaforë për zhvillimet që presin të ndodhin.

Kujtojmë se vetëm dy ditë më parë, Balluku u thirr në SPAK, ku zyrtarisht iu komunikua se është e pandehur me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, lidhur me procedurën për tunelin e Llogarasë.

Po atë ditë, menjëherë pas thirrjes në SPAK, Balluku shkoi në zyrën e kryeministrit Edi Rama./voxnews.al





