Policia e Shkodrës ka goditur tre ambiente ku kultivohej kanabis me llamba në Malësinë e Madhe. Policia bën me dije se në pranga për kultivimin e këtij kanabisit kanë rënë dy kushërinjtë, Lazer Pepaj dhe Sander Pepaj.
“Në vijim të planit të masave për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së DVP Shkodër dhe me Njësinë e Sigurisë Publike Shkodër, kanë ushtruar kontrolle intensive në ambiente të mbyllura, me qëllim konstatimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave, tharjes dhe përpunimit të tyre për shitje.
Në këtë kuadër u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Neonët”.Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit S. P., 48 vjeç, L. P., 69 vjeç (kushërinj), si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. P., 33 vjeç, të tre banues në fshatin Lulashpepaj.
Në vijim të operacionit u ndaluan edhe shtetasit G. H., 57 vjeç, banues në fshatin Balshaj; L. V., 34 vjeç, banues në fshatin Aliaj; Xh. Ç., 24 vjeç, banues në fshatin Zagorë; dhe A. S., 57 vjeç, banues në Koplik, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, pasi dyshohen se kanë lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në disa ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike.
Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit E. H., 57 vjeç, banues në Bajzë, dhe A. H., 41 vjeçe, banuese në Shkodër, për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.
Nga kontrollet në 3 ambiente (2 banesa dhe një stallë) në fshatin Hot, të përshtatura për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1110 bimë të dyshuara kanabis, 1 kg e 800 gramë lëndë narkotike kanabis në proces tharjeje, 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 veltinatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit K. P.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Juridiksion të Përgjithshëm, Shkodër, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.”, thuhet në njoftimin e policisë




