“U dirigjua përmes urdhrave të Belinda Ballukut”- Afera e tunelit të Llogarasë, Gazment Bardhi: Ministrja drejton shtetin përmes telefonit e SMS-ve! Vartësit u takuan në banesën e saj për ndarjen e miliona eurove

Kreu i Grupit të PD-së, Gazment Bardhi ka deklaruar se afera e tunelit të Llogarasë, për të cilën është marrë e pandehur Belinda Balluku, u dirigjua, sipas tij, nga zv.kryeministrja.

Bardhi u shpreh se Balluku drejton shtetin përmes telefonit dhe SMS-ve, duke theksuar se vartësit u mblodhën në banesën e numrit 2 të qeverisë për të bërë llogaritë se si do të ndanin milionat e eurove në skemën korruptive të ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

“Çdo parregullsi dhe shkelje e ligjit për të realizuar skemën korruptive është dirigjuar përmes urdhrave të Belinda Ballukut, e cila e drejton shtetin me një paaftësi mbresëlënëse përmes telefonit mesazheve, lidhjeve personale dhe vizitave të vartëseve të saj në banesën e ministres ku bëjnë llogaritë se si do të ndajnë milionat e eurove në skemën korruptive të ndërtimit të tunelit të Llogarasë”, tha Bardhi.

Pjesë nga deklarata:

Tenderat publikë paracaktohen sipas llogarive korruptive të Edi Ramës dhe vartësve të tij. Procedurat shkelen nga institucionet përgjegjëse me urdhër politik dhe se shteti përdoret për interesa pushteti, interesa korruptive të zyrtarëve të lart.

Dosja Balluku nuk është një rast i izoluar por është modeli i qeverisjes së Edi Ramës.

Në dosjen e prokurorisë rezulton e qartë e tenderi ishte i paracaktuar. Kriteret janë përshtatur që të fitojë kompania e paracaktuar nga Edi Rama, kjo është arsyeja pse nuk guxon ta shkarkojë Belinda Ballukun. Çdo parregullsi dhe shkelje e ligjit për të realizuar skemën korruptive është dirigjuar përmes urdhrave të Belinda Ballukut, e cila e drejton shtetin me një paaftësi mbresëlënëse përmes telefonit mesazheve, lidhjeve personale dhe vizitave të vartësve të saj në banesën e ministres ku bëjnë llogaritë se si do të ndajnë milionat e eurove në skemën korruptive të ndërtimit të tunelit të Llogarasë.

Sipas prokurorisë jo vetëm kompania është paracaktuar nga Belinda Balluku për të fituar këtë tender, por kompania turke nuk kishte një sërë kushtesh të shpallur për tenderin.

Kompania turke nuk plotësonte disa nga kriteret teknike e financiare. Rama që ditën flet për Europën dhe natën mbron korrupsionin, me heshtjen dhe mosveprimin e tij është kthyer në zëdhënës e avokat të Belinda Ballukut, as nuk e shkarkon nga zv.kryeministre dhe as nuk ka folur një fjalë dhe nuk është distancuar nga provat e SPAK, por vazhdon ta mbrojë duke i provuar çdo shqiptari që është bashkëpërgjegjës në këtë dosje. Rama nuk është spektator i korrupsionit, por arkitekt i tij politik.

Next