10 minutat e vonesës problem për atentatorët, Blendi Fevziu zë keq gazetarin: Kjo është naive! Fluturimet gjurmohen LIVE në telefon

Merin Maçi po raportonte në Opinion mbi dinamikën e atentatit të sotëm të ndodhur pranë aeroportit të Rinasit ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani. Gazetari po tregonte itinerarin e ndjekur nga viktima dhe i plagosuri, si nga ana tjetër lëvizjet e ekzekutorëve.

Sipas gazetarit fillimisht për ta ishte bërë problem vonesa prej 10 minutash e avionit dhe për këtë u shpreh se dyshohet të ketë pasur një informues nga brenda aeroportit.

“Problem për atentatorët në fillim ka qenë vonesa prej 10 minutash e avionit. Nuk e kanë ditur me saktësi mbërritjen e Gilmando Danit”.

Në këtë moment ndërhyri Fevziu që me eksperiencën e gjatë në gazetari iu drejtua: “Ndalu pak. Kjo është naive. Në ditët e sotme është krejt e thjeshtë të gjurmosh në kohë reale një fluturim. Mjafton aplikacioni si Radar24 ose ndonjë tjetër dhe live të shfaq kur niset avioni në aeroportin tjetër dhe kur mbërrin në Shqipëri”.

Megjithatë Merin Maçi u justifikua duke thënë se atentatorët nuk mund ta përdornin internetin për shkak të frikës së gjurmimit të tyre.

Por, sërish Fevziu iu drejtua: “S’kanë pse e përdorin për të folur. Thjesht shohin vendndodhjen. Këto të tjerat janë hipoteza. Informatori mund të ketë qenë në avion, në aeroport ose i ka shoqëruar deri në vendngjarje. Këto i zbardh hetimi. Por, parimisht me një aplikacion në telefon sheh në kohë reale ku gjendet avioni për të cilin ke interes për vendndodhjen”, përfundoi ai.

Next