Atentati në Rinas u filmua nga kamerat e sigurisë – zbardhen detaje të reja nga hetimet

Ngjarja e rëndë e ndodhur mesditën e kësaj të marte në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, miku i ngushtë i Emiljano Shullazit, dhe u plagos rëndë Mustafa Shaljani (i njohur dhe me mbiemrin Sheqeri), është fiksuar e gjitha nga kamerat e sigurisë.

Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se e gjithë skena e atentatit është regjistruar nga disa kamera sigurie në zonë, ku dallohet qartë mënyra e ekzekutimit. Pamjet tregojnë se automjeti i autorëve ka qëndruar paralel me makinën e viktimës, duke qëlluar fillimisht me dy kallashnikovë.

Pas breshërisë së plumbave, dyshohet se një nga autorët ka zbritur nga makina, i është afruar automjetit të Danit dhe e ka qëlluar sërish nga afër, për t’u siguruar që ai të mos mbijetonte. Ky veprim tregon se autorët kishin informacion të saktë për lëvizjet e viktimës dhe e kishin planifikuar atentatin me kujdes.

Aktualisht, po verifikohen dhjetëra kamera sigurie, si ato të bizneseve private, ashtu edhe kamerat shtetërore të aeroportit, për të rindërtuar itinerarin e autorëve dhe për të identifikuar mjetet e përdorura.

Sipas hetimeve paraprake, automjeti i autorëve ka qëndruar për disa sekonda përkrah makinës së viktimës, duke qëlluar në mënyrë të vazhdueshme. Më pas, pasagjerët kanë humbur kontrollin e mjetit, ndërsa autorët janë larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës.

Grupi hetimor dyshon se në atentat mund të kenë marrë pjesë të paktën tre persona – njëri në roli i shoferit dhe dy si qitës. Gjithashtu, ekziston dyshimi se autorët janë ndihmuar nga bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët mund të kenë ndjekur lëvizjet e viktimës dhe kanë sinjalizuar momentin e duhur për sulmin.

Pistat e hetimit mbeten të hapura, por burime pranë policisë bëjnë me dije se dyshohet për konflikte mes grupeve kriminale rivale, të përfshira në aktivitete të mëparshme në Tiranë dhe Durrës. /noa.al

Next