Ernest Muçi pritej të ishte sërish pjesë e Kombëtares, por për të nuk pati vend as në dy ndeshjet vendimtare të këtij muaji. Trajneri Silvinjo e la jashtë grumbullimit të kuqezinjve për kualifikueset e Botërorit 2026. Deri në vendimin për të mos e ftuar, ka pasur lëvizje të rëndësishme për karrierën e mesfushorit shqiptar.
NGA FTESA E “DJEGUR”, ÇFARË PO NDODH ME MUÇIN…
Më 29 gusht, Silvinjo shpalli listën për miqësoren me Gjibraltarin dhe sfidën kualifikuese ndaj Letonisë. Pjesë e saj si mesfushor ishte edhe Ernest Muçi.
Më 1 shtator, nga FSHF u njoftua se përveç Adrian Bajramit të larguar, për kuqezinjtë nuk do të ishte i gatshëm as Muçi. “Pjesë e Kombëtares për dy ndeshjet e shtatorit nuk do të jetë as Ernest Muçi, i cili ka vuajtur nga dhimbje të mesit me shenja të inflamacionit të diskut. Pas konsultimit me stafin mjekësor të klubit dhe doktorin e Kombëtares, është vendosur që ai të mos thirret për këto ndeshje”.
Vetëm pesë ditë më vonë, erdhi huazimi i Muçit nga Beshiktashi te Trabzonspori. “Jam plotësisht gati fizikisht. Jam në 100% të formës sime dhe mezi po e pres të nis sezonin”, u shpreh Muçi në deklaratën e tij të parë, pikërisht atë ditë.
Nga ai moment, 24-vjeçari u harrua te Kombëtarja. Silvinjo nuk e ftoi as për ndeshjet e tetorit, as të këtij muaji. Hera e parë në drejtimin e trajnerit brazilian, që Muçi qëndron për një kohë kaq të gjatë jashtë skuadrës.
Me Trabzonsporin ndërkohë numëron tetë paraqitje deri tani. Gjatë kësaj kohe nga ana e tij janë regjistruar 333 minuta. Në katër takime ka veshur fanellën e titullarit. Ndërkohë akoma nuk është kthyer në faktor te Tabzonspori, që ka besim të madh tek aftësitë e tij.
Dje në Turqi është publikuar një shkrim, që tregon se vendimi i Silvinjos për të mos e ftuar ka tronditur Muçin. Sipas “61saat” ishte një vendim që nuk pritej nga ana e futbollistit shqiptar./PANORAMASPORT.AL