Gilmando Dani mbeti i vrarë këtë të martë, 11 nëntor, në një atentat mafioz, te rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit.
47-vjeçari Dani ishte pasagjer në një makinë të bardhë. Shoferi i makinës, i identifikuar si 40-vjeçari Muçi Shaljani alias Sheqeri, mbeti i plagosur rëndë.
Eksperti i Kriminalistikës, Ervin Karamuço” tha se grupi i atentatorëve kanë qenë të mirëorganizuar dhe kanë gjetur një kohë kur kishte shumë njerëz dhe fluks. Atentati u krye në zonë ku mungonte patrulla policore, dhe u zgjodh rrethrrotullimi për shkak se shpejtësia është e ulët, gjë që i ndihmonte për të qëlluar drejt makinës ku ndodhej Dani.
Karamuço shtoi se pas kësaj ngjarjeje kriminale ka një të shkuar të errët kriminale, për shkak të dosjes kriminale të Gilmando Danit, lidhjet e tij me grupet kriminale. Eksperti shtoi se ngjarja lidhet me 2-3 grupe kriminale, të lidhura dhe me grupe të tjera ndërkombëtare.
Sipas Karamuços policia ka rënë në gjurmët e një personi, i cili është marrë si i dyshuar.
“Kjo ngjarje ka ndodhur ditën, në një zonë ku duhet të kishte policie. Ka ndodhur nga një trupë elitë, e specializuar për këto atentate. Kjo ngjarje ishte planifikuar për t’u bërë mbrëmë, por ngaqë u anulua fluturimi nga Barcelona, ndodhi sot. Ndodhi në mes të ditës, kanë rrezikuar shumë qytetarët, klientët dhe turistët. Objektivi kryesor ka qenë viktima dhe shoferi. Është zgjedhur rrethrrotullimi për shkak se atje ishte shpejtësia më e ulët. Më pas kanë përdorur një rrugë dytësore për të shkuar në Krujë, pra kanë qenë njohës të mirë të zonës.
Policia ka rënë në gjurmët e një personi që ka vazhduar personat, është identifikuar, është marrë si i dyshuar. Pas kësaj ngjarje ka një të shkuar kriminale, me grupe kriminale dhe transnacionale”, tha Karamuço.
Më tej eksperti i kriminalistikës tha se informacionet për atentatorët mund të kenë ardhur edhe nga Spanja.
“Policia ka dyshime, si informacionet mund të jenë marrë edhe nga Spanja. Nga ana tjetër po kalojnë në sitë të gjitha kamerat e aeroportit që mund, t’i kenë ndjekur. Janë shumë aspekte hetimore që po kalojnë në një volum të madh, për të shkuar deri te provat.
Deri tani flitet për tre persona, dy qitës dhe një i tretë që është afruar me armë brezi dhe ka qëlluar nga afër pasagjerin. Janë grupe elitë, që polica e shtetit do të ketë probleme nëse nuk i gjen dhe i burgos. Kemi pasur raste që janë marrë ish-efektivë që janë huazuar për të tilla ngjarje”, u shpreh Karamuço.
