Detaje të reja janë zbardhur lidhur me atentatin e ndodhur ditën e djeshme në Rinas, ku si pasojë e një atentati mbeti i vrarë Glimando Dani dhe u plagos Muçi Sheqeri. Një dëshmitar që ishte prezent në momentin që ndodhi atentati mafioz, ka folur për “Euronews Albania”.
“Kur po kaloja, dëgjova të shtënat. U tremba dhe pashë kallashin që u përdor. Automjeti u ndal, një person u vra dhe tjetri u plagos. Për mua është si një film, jam i shokuar dhe i tmerruar. Na largoi policia. Ata erdhën shpejt, por në atë moment nuk kishte prezencë policie,” rrëfen dëshmitari.
Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit u ekzekutua në një atentat mafioz pasditen e së martës. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 menjëherë pasi viktima dhe i plagosuri mbërritën nga Barcelona ku ishin larguar në datën 7 nëntor. Në momentin kur janë nisur drejt Tiranës me automjetin tip Benz me targa AB 099UO, autorët me një tjetër makinë i zunë pritë dhe i qëlluan me breshëri plumbash.
Në vendin e atentatit janë gjetur mbi 50 gëzhoje arme kallashnikov, të cilat janë zbrazur me breshëri nga të paktën 3 armë. Rreth 40 minuta pas atentatit policia gjeti të djegur automjetin e autorëve në fshatin Halil të Fushë-Krujës dhe brenda tij 4 armë; 3 kallashnikovë dhe 1 pistoletë që dyshohet janë përdorur në ekzekutimin e Danit.
