Agjenti i Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani allias Sheqeri vijon të ndodhet i intubuar në repartin e reanimacionit, në gjendje të rëndë. Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije për Report Tv se 40-vjeçari ka marrë 10 plumba në trup, 2 prej të cilëve në kokë, pas atentatit mafioz pranë aeroportit të Rinasit.
Policia e Tiranës ka këqyrur kamerat e bizneseve dhe të aeroportit për të parë lëvizje të dyshimta për persona të tjerë që mund të kenë pasur rol për të informuar autorët që ndodheshin brenda automjetit tip Toyota, të cilët ishin të ndaluar te rrethrrotullimi dhe po prisnin viktimën Gilmando Dani dhe mikun e tij që mbeti i plagosur rëndë.Po ashtu, po verifikohet për të gjitha mjetet e tjera apo njerëzit që kalojnë disa herë te porta dalëse e aeroportit, ku të skeduar janë ata njerëz që kanë qëndruar më gjatë dhe janë larguar sapo kanë dalë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Targat e mjetit tip “Toyota” të përdorur nga autorët e atentatit të djeshëm në Rinas rezultojnë të jenë vjedhur në Greqi vitin e kaluar. Grupi hetimor, ende nuk ka përcaktuar nëse makina është e vjedhur apo jo, pasi numri i shasisë nuk është rikuperuar për shkak të dëmtimit nga zjarri. Autorët, të cilët kanë qenë katër persona, tre qitës dhe një shofer, kanë ardhur nga zona e Niklës në drejtim të Rinasit dhe më pas janë larguar përsëri drejt së njëjtës zonë. Janë përdorur të katër armët në ngjarje. Dyshohet se njëri prej autorëve, pasi fillimisht ka qëlluar me kallashnikov, ka dalë dhe ka qëlluar me pistoletë nga afër viktimën dhe të plagosurin.
Burime pranë DSIK, institucion që verifikon pastërtinë e figurës për punonjës të AMP-së bëjnë me dije se Muçi Sheqeri nuk rezulton të ketë pasur certifikatë sigurie, ndaj ka nisur një hetim për të zbuluar mënyrën e punësimit të tij pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Sheqeri është punësuar në muajin shtator kur institucioni drejtohej nga Artiol Saliasi.
Objektiv i atentatit të djeshëm dyshohet se ishte Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. 47-vjeçari bashkë me mikun e tij sapo ishin kthyer nga Barcelona kur u përballën me breshërinë e plumbave. Autorët e këtij atentati mafioz i pritën Danin dhe mikun e tij derisa lanë aeroportin e Rinasit ku kishin parkuar makinën 4 ditë më herët dhe qëlluan njëherazi nga një ‘Toyota Yaris’ në drejtim të Benzit luksoz. Benzi për inerci eci edhe pak nga momenti i parë kur është qëlluar dhe ka ndalur disa metra më pas.
Për t’u siguruar se kishin kryer misionin njëri prej atentatorëve, me kapele dhe i maskuar, del jashtë dhe lëshon breshërinë e fundit.
Më pak se një orë më vonë, një makinë e djegur u gjet pak kilometra më tutje, në fshatin Halil në Fushë-Krujë. Në mjet i gjetë edhe 3 kallashë dhe pistoleta që autorët dyshohet se kanë përdorur në atentat.
