Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar pas atentatit mafozi në Rinas (11 Nëntor), ku mbeti i plagosur efektivi i policisë 40-vjeçari Muçi Shaljani alias Sheqeri dhe u ekzekutua Gilmando Dani, mik i Emiljano Shullazit dhe krahu i djathtë i tij.
AMP njofton se është urdhëruar pezullimi i zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale, ndërsa ka nosur hetim për procedurën e rekurtimit të Muçi Shaljani alias Sheqeri.
“AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit tij, prej shtatorit 2025”, thuhet në njoftim.
Duke shtuar se: “U urdhërua pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”.
Reagim i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore:
Nisur nga interesi i medias dhe ndjeshmëria e ngjarjes të ndodhur ditën e djeshme në rrethrrotullimin pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ku rezulton i përfshirë edhe punonjësi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, M.Sh, i cili ka mbetur i plagosur dhe po merr ndihmën mjekësore, AMP ka nisur menjëherë verifikimin e brendshëm të procedurave administrative të ndjekura si edhe praktikën e plotë me agjencitë përkatëse dhe Policinë e Shtetit, në lidhje me procedurën e rekrutimit tij, prej shtatorit 2025.
Ndërkohë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Eduart Merkaj, ka urdhëruar pezullimin e zinxhirit komandues të strukturës së Forcës së Posaçme Operacionale të AMP-së deri në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Në komunikimet në vijim do të bëhen me dije rezultatet e këtyre veprimeve.
