Në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, deputeti socialist i Qarkut të Elbasanit, Adi Qose, ka qenë i ashpër me Belinda Ballukun. Ai ngriti një nga shqetësimet më të mëdha që prej vitesh rëndon mbi qytetarët e Elbasanit dhe gjithë drejtuesit e mjeteve që kalojnë në këtë zonë: mungesën e Bypass-it të Elbasanit. Në një pyetje drejtuar përfaqësuesve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Qose kërkoi përgjigje të qartë mbi afatet dhe planin konkret për ndërtimin e këtij segmenti të shumëpërfolur, duke e cilësuar si një domosdoshmëri të vonuar.
“Ndërtimi i Bypass-it të Elbasanit është një emergjencë infrastrukturore. Trafiku në qytet është bërë i padurueshëm, veçanërisht në fundjavë, kur kalimi përmes Elbasanit është një mision i pamundur. Ky projekt është premtuar që prej një dekade dhe nuk mund të shtyhet më,” – deklaroi Qose.
Deputeti theksoi se Bypass-i nuk është thjesht një kërkesë lokale, por një nevojë kombëtare që do t’i shërbente gjithë juglindjes së vendit – nga Peqini, Belshi e Gramshi, deri në Librazhd e Prrenjas. Sipas tij, investimi do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, turizmin dhe lehtësimin e qarkullimit ndërqytetas, duke e bërë Elbasanin një nyje të rëndësishme të transportit në Korridorin VIII.
“Tani që po ecën me ritme të shpejta ndërtimi i segmentit Elbasan–Lekaj të Korridorit të Tetë, është momenti i duhur që qeveria të çojë përpara edhe projektin e Bypass-it. Fondi i parashikuar për vitin 2026 është i pamjaftueshëm, pasi përfshin vetëm fazën e studimit. Duhet më shumë vëmendje dhe mbështetje buxhetore,” – nënvizoi ai.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmuan se projekti i Bypass-it të Elbasanit është përfshirë në listën prioritare të ministrisë dhe është akomoduar në buxhetin afatmesëm 2026–2028, përfshirë edhe në Aktin Normativ të tetorit. Sipas tyre, gjatë vitit të ardhshëm do të nisë financimi për një bypass të përkohshëm (të shkurtër), që do të shërbejë si parapërgatitje për ndërtimin e Bypass-it të plotë.
“Ky projekt mbetet në fokusin e ministrisë dhe është pjesë e planifikimit afatgjatë të investimeve në infrastrukturë, në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare,” – u theksua nga përfaqësuesi i ministrisë.
Debati në Komision shënoi një tjetër shtytje institucionale për një çështje që qytetarët e Elbasanit e kanë ngritur prej vitesh. Me kërkesën e deputetit Qose, projekti i Bypass-it të Elbasanit duket se po rikthehet në qendër të vëmendjes, me shpresën që të mos mbetet më vetëm në letër, por të kthehet në realitet në vitet e ardhshme.
