Detaje të reja janë zbuluar lidhur me ngjarjen e rëndë të djeshme në dalje të aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, i njohur si krah i djathtë i Emiljano Shullazit. Gazetarja Anila Hoxha ka ndarë informacion në emisionin “Breaking” në Top News, duke zbuluar disa detaje të rëndësishme për hetimet.
Sipas gazetares, autoritetet e policisë janë rikthyer sot në vendngjarje për të vazhduar hetimet lidhur me këtë krim mafioz. Hoxha ka treguar se makina luksoze Benz, me të cilën po udhëtonte Gilmando Dani, kishte qenë fillimisht raportuar si e blinduar. Megjithatë, pas verifikimeve të fundit nga hetuesit, është konfirmuar se makina nuk ishte e blinduar, ashtu siç ishte spekuluar më herët.
Gazetarja ka shtuar se makina tip Toyota Yaris, e dyshuar të jetë përdorur nga autorët e atentatit, u gjet e djegur pas ngjarjes. Sipas hetimeve të policisë, kjo makinë kishte targa të vjedhura nga Greqia, një tjetër fakt që sugjeron përgatitje të kujdesshme nga ana e autorëve për të fshehur gjurmët e krimit.Nga kamerat e sigurisë të mbledhura nga autoritetet, shfaqen vetëm tre persona, por hetuesit dyshojnë se numri i autorëve mund të ketë qenë më i madh. Një prej tyre dyshohet se ka pasur përgatitje ushtarake, një detaj që ngre më shumë pyetje për planifikimin dhe saktësinë e realizimit të atentatit.
Përveç kësaj, është zbuluar se fluturimi i Gilmando Danit ishte anulluar më herët dhe i dyti kishte pasur një vonesë prej rreth 8 orësh. Kjo vonesë ka dhënë më shumë mundësi autorëve për të realizuar krimin, duke e bërë atentatin më të mundshëm gjatë kësaj periudhe.
“Gilmando Dani tentoi të niste jetën e tij të re, pasi mbylli hesapet me drejtësinë shqiptare, në Tiranë. Nga kamerat e sigurisë u vu në dukje se ishte një atentat mjaft i organizuar dhe i sofistikuar. Në kamera u panë 3 persona por është mjaft e sigurt që nuk janë vetëm tre por më shumë. Nga mënyra si është organizuar atentati do të jetë e vështirë të dalin në një përfundim ose zbardhjen e plotë në një kohë të shkurtër”, tha gazetarja Anila Hoxha.
