Komisioni Evropian ka publikuar të martën listën e vendeve që do të përfitojnë ndihmë nga Bashkimi Evropian për menaxhimin e flukseve migratore, si dhe atyre që do të kontribuojnë financiarisht ose logjistikisht në këtë proces.
Sipas nismës së re “Solidarity Pool”, shumica e vendeve anëtare të BE-së do të ndihmojnë shtetet që përballen me presione të larta migratore, qoftë përmes pranimit të azilkërkuesve nga vendet e mbingarkuara, ose përmes mbështetjes financiare e operative.Komisioni ka njohur Greqinë, Qipron, Spanjën dhe Italinë si shtete nën “presion të theksuar migrator”, për shkak të rritjes së ndjeshme të emigrantëve gjatë vitit të fundit. Këto vende do të kenë të drejtë për ndihmë nga fondi i solidaritetit duke filluar nga mesi i vitit 2026.
Në fjalën e tij, Komisioneri për Punët e Brendshme, Magnus Brunner, theksoi se zbatimi i kuadrit të ri të migracionit është një proces që kërkon “ekuilibër mes solidaritetit dhe përgjegjësisë”.
“Çdo hap duhet të ecë paralelisht me tjetrin”, u shpreh ai, duke theksuar se vendet që përballen me presion joproporcional do të trajtohen ndryshe.
Ndërkohë, Komisioni ka njohur gjithashtu se Bulgaria, Çekia, Estonia, Kroacia, Austria dhe Polonia po përballen me “situata të rëndësishme migratore” për shkak të flukseve të vazhdueshme gjatë pesë viteve të fundit. Kjo do t’u lejojë atyre të kërkojnë ulje ose përjashtim të pjesshëm nga kontributet e tyre në mekanizmin e solidaritetit, gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të skemës.
Sipas Politico, Komisioni ka identifikuar gjithashtu Belgjikën, Bullgarinë, Gjermaninë, Estoninë, Irlandën, Francën, Kroacinë, Letoninë, Lituaninë, Holandën, Poloninë dhe Finlandën si vende që rrezikojnë të përballen me presion migrator gjatë vitit të ardhshëm. Këto vende nuk do të përjashtohen nga detyrimet në vitin 2026, por janë “pranë pragut” për përjashtim në të ardhmen.
Klasifikimi “në rrezik” bazohet në disa kritere: numri i lartë i mbërritjeve, kapacitetet e tejngarkuara të pritjes dhe përdorimi i migracionit si mjet presioni nga vende të treta, si Rusia. Këto shtete do të kenë përparësi në qasjen ndaj “Migration Support Toolbox”, një mjet që përfshin fonde emergjente, ndihmë operacionale dhe koordinim politik.
Një zyrtar i Komisionit tha për median se “vendet nën presion të konsiderueshëm mund të kërkojnë përjashtim nga ofrimi i solidaritetit, ndërsa ato që janë në rrezik duhet të kontribuojnë sërish.” Vlerësimin e situatës e kryen Komisioni, ndërsa Këshilli i BE-së vendos përfundimisht për klasifikimin e shteteve.
Pjesa më e debatueshme e skemës mbetet zhvendosja e azilkërkuesve, që parashikon që disa shtete të pranojnë persona që ndryshe nuk do të kishin hyrë në territorin e tyre. Megjithatë, në kuadrin e ri, solidariteti është i detyrueshëm, por jo zhvendosja. Kjo do të thotë se vendet mund të zgjedhin mes pranimit të azilkërkuesve, pagesës së një shume për çdo person që nuk pranohet, ose ofrimit të një forme tjetër ndihme.
Ky kompromis synon të akomodojë vende si Polonia, Hungaria dhe Çekia, që kundërshtuan detyrimin për zhvendosje të detyruar kur u arrit marrëveshja në qershor 2023.
Detajet për numrin e personave që mund të zhvendosen ose shumën që do të paguhet në këmbim ende nuk janë publikuar. Sipas legjislacionit të paktit të migracionit, këto të dhëna do të bëhen publike pasi shtetet anëtare të vendosin për përmasën përfundimtare të fondit të solidaritetit.
Negociatat për ta shndërruar propozimin në një akt juridik të detyrueshëm pritet të nisin javët në vijim. Komisioneri Brunner do të raportojë të enjten përpara eurodeputetëve mbi paketën e re të propozimeve, megjithëse Parlamenti Evropian nuk ka rol legjislativ në këtë proces.
