Elvis Kosova i cili është pronari i një kompanie shit-blerje automjetesh, ka reaguar në një koment në rrjete sociale në lidhje me pretendimet se mjeti tip “S Class” me të cilin udhëtonin Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani është në pronësi të tij.
Elvis Kosova ka mohuar të tilla lajme duke thënë se nuk mban mend ta ketë pasur kurrë makinën e cila ra pre e atentatit ndërsa thekson se nuk është në emrin e tij, por të kompanisë.
“As nuk e mbaj mend ta kem pasur ndonjëherë këtë makinë. Nuk është në emrin tim fare, është në emër të kompanisë. Sa makina hyjnë e dalin nga kompanitë e mia, s’di, s’kam fjalë me këto. Zot na ruaj.”-shkruan Vis Kosova në një koment në rrjete sociale.
Elvis Kosova nuk është një emër i panjohur për policinë. Jo më larg se verën e këtij viti, atij iu vendos një sasi lënde plasëse në portën hyrëse të garazhit të tij në zonën e “Liqenit të Thatë” në Tiranë.
Ndërsa në gusht të vitit 2024 ai u ndalua për vjedhjen e një makine luksoze “Audi R8”, me vlerë rreth 200 mijë euro, që ishte sjellë fillimisht nga Gjermania nga një turk, dhe më pas ishte përvetësuar nga Elvis Kosova përmes mashtrimit.
Pasditen e sotme, Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit ra pre e atentatit pranë rrethrrotullimit të Rinasit dhe për pasojë ndërroi jetë, ndërsa shoferi, miku i tij Muçi Shaljani ndodhet në spitalin e Traumës me plagë të rënda.
