‘Vrasësit i panë të gjithë, përveç narko-policisë që kishte mbyllur sytë me maska’, Berisha për vrasjen në Rinas

Kreu i partisë Demokratike, Sali Berisha, i është rikthyer përsëri ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e djeshme pranë aeroportit të Rinasit (11 nëntor), ku u vra në atentat në mes të ditës Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe mbeti i plagosur rëndë miku i tij Muçi Shaljani (Sheqeri), agjent i AMP-së.

Duke ironizuar Policinë e Shtetit, teksa postoi në Facebook edhe videon e momentit të vrasjes, lideri i selisë blu shkruan se uniformat blu nuk i panë vrasësit sepse i kishin sytë të zënë nga maskat.

“Vrasësit i panë të gjithë, përveç narko-policisë që kishte mbyllur sytë me maska!”, thekson ai në reagimin e shkurtër karshi pamjeve.

Video e atentatit u publikua edhe nga “Panorama Online”, ku dallohen qartë ekzekutorët me taktikë komando apo paramilitarë, të organizuar, të cilët i zënë pritë në mes të rrugës dhe qëllojnë me breshëri automatikësh veturën “Benz” me ngjyrë të bardhë, ku udhëtonin Dani dhe Shaljani, që sapo ishin kthyer nga Barcelona.

Berisha reagoi edhe gjatë konferencës për shtyp mesditën e sotme, ku akuzoi ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit se rendi dhe siguria nuk ekzistonin dhe ishin kthyer në rrezik për jetët e qeveritarëve, me atentate në mes të ditës dhe autorë që largoheshin të pashqetësuar.

Next