40-vjeçari Muçi Shaljani Sheqeri, i plagosur në atentatin pranë aeroportit të Rinasit, ndodhet ende në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas mediave, ai vazhdon të mbahet i intubuar nën kujdes intensiv.
Atentati ndodhi më 11 nëntor, kur Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani u qëlluan me breshëri pranë rrethrrotullimit të Rinasit, sapo ishin kthyer nga Barcelona. Autorët, katër persona në një Toyota të vjedhur në Greqi, pritën mbi 10 minuta. Tre prej tyre dolën dhe qëlluan. Më pas u larguan dhe dogjën automjetin në Halil të Fushë-Krujës.
Gilmando Dani, i cili konsiderohej si një nga njerëzit e besuar të Emiljano Shullazit, ishte liruar nga burgu në vitin 2024. Ndërkohë, Shaljani u punësua në shtator në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) me një kontratë provizore 3-mujore.
Verifikimet e DSIK-së tregojnë se Shaljani nuk kishte certifikatë sigurie dhe nuk kishte aplikuar për të, duke treguar shkelje të rënda në mënyrën e rekrutimit në institucionin që merret me hetimin e punonjësve të policisë.
