Myrto Uzuni dhe Nedim Bajrami u aktivizuan dje në minutën e 60-të, duke marrë respektivisht vendin e Armando Brojës dhe Qazim Laçit.
Impakti i tyre te Kombëtarja ishte i menjëhershëm. Goli që u shënua nga Kristjan Asllani pak minuta më vonë, u gatua pikërisht nga stoli.
Të dy bashkë e komentuan ndryshimin që erdhi në pjesën e dytë, ndërsa goli i vetëm ndaj Andorrës ishte me kundërsulm.
FJALËT E NEDIM BAJRAMIT
“Besoj se sot kemi bërë një ndeshje shumë të mirë. Lojtarët që u futën pjesën e dytë bënë diferencën, edhe nëse je në stol ndonjëherë kështu është futbolli. Mund të bësh diferencën me 20 minuta”, u shpreh fillimisht Bajrami.
Sa e vështirë të pranosh stolin? Besoj se çdo lojtar do të luajë, futbollin ne e duam. Është e vështirë, por futbolli është moment. 10 apo 20 minuta, mund të bësh diferencën. Sot e pamë në fushë, morëm 3 pikët në rrugën tonë për Botëror.
Udhëzimi i Silvinjos? Ne filluam 4-3-3, pastaj kur u futëm me Uzunin ishte 4-2-3-1. Në fund doli mirë.
FJALËT E MYRTO UZUNIT
Si ishte ta shikoje ekipin që vuante nga stoli? “Të them të drejtën ishte e vështirë, pasi po shikoja që kishim pak mangësi në ekipin sulmues, që të sulmonim hapësirat. Kishte shumë hapësira ekipi i Andorrës, të cilët luajnë të mbyllur. Dhe mendoj se duhej sulmuar më shumë nga krahët. Kjo ishte finale për ne, jemi shumë të kënaqur për këto 3 pikë. Tani të gëzojmë për të gjithë shqiptarët, që e kanë pritur për gjithë këto vite këtë moment”, u shpreh Uzuni./PANORAMASPORT.AL
