Gazetarja Klodiana Lala dha sot informacione të reja rreth dinamikës dhe hetimeve të atentatit vdekjeprurës ndaj Gilmando Danit më 11 nëntor pranë aeroportit të Rinasit, krahut të djathtë të Emiljano Shullazit dhe plagosjen e mikut të tij Muçi Shaljani (Sheqeri), agjent i AMP.
Autorët kanë pritur me makinën “Toyota” për 7 minuta në rrethrrotullim, duke përforcuar dyshimet se ata kishin informatorë të besuar si në Barcelonë, ashtu edhe në terminalin e aeroportit, që i kanë orientuar për gjithçka.
Gazetarja informoi gjithashtu në emisionin “Kjo Javë” se makina e atentatorëve doli pikërisht nga zona prej nga ku edhe Emiljano Shullazi, (fshati Halil), i burgosur prej një dekade, ka origjinën, mes Zallës dhe Niklës. Ndaj ajo beson se vrasja e mikut të tij të ngushtë është me një mesazh.
“Sot policia në kontrollet e kryera në Krujë e Fushë-Krujë dhe sidomos në fshatin Zallë, ka gjetur një arsenal armatimi. Në kërkim u shpall Ylli Zalla, me profil me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i skeduar edhe për rekrutimin e luftëtarëve për në Siri. Jo një lidhje e drejtpërdrejtë në atentatin ndaj Gilmando Danit, por me një lidhje indirekte. Gjendja e Muçi Shaljanit mbetet ende kritike, mjekët thonë se ka plagë të rënda për shkak të plumbave në kokë, pasi mund të shkaktojë hemorragji nëse hiqen”, tha Lala për “News 24”.
Më tej ajo shpjegoi edhe detajet hetimore për itinerarin dhe dinamikën.
Madje ajo shprehet se ekzekutimi ka ndodhur me bekimin e grupeve të fuqishme kriminale, ku pista kryesore mbetet larja e hesapeve dhe hakmarrja mes bandave rivale.
“Autorët besohet se kanë dalë nga zona e fshatit Zallë para atentatit. Krimi është kryer me bekimin e grupeve kriminale të zonës së Niklës dhe Zallës. Për aq sa e njohim këtë zonë dhe historinë nuk mund të ketë ndodhur pa lejen e tyre. Për më tepër që ajo makinë ka dalë nga zona ku ka origjinën Emiljano Shullazi, fshati Halil, ku u dogj makina, pavarësisht se shtë lindur në Tiranë. Ndaj e kam thënë se ky është një atentat me mesazh, pasi edhe Gilmando Dani kishte aktivitet në atë zonë”, vijoi gazetarja.
Deri tani mësohet se ka pasur persona të shoqëruar, por që pas alibisë janë lënë të lirë. Ka pasur edhe kontrolle.
Por sipas Lalës, autorët kanë qenë të mirëinformuar dhe mund të ketë pasur një rrjet me disa persona që kanë gjurmuar Danin.
“Makina e autorëve priti vetëm 7 minuta te rrethrrotullimi para se autorët të dilnin dhe të qëllonin Gilmando Danin dhe Muçi Shaljani. Avioni duhet të vinte një ditë më parë, por ka ardhur të nesërmen më 11 nëntor. Pra dikush në Spanjë, në Barcelonë e ka tradhtuar Danin, pasi ka ditur mirë nisjen e avionit nga aeroporti. Pra është tradhtuar e informuar prej andej. Pika e dytë është në aeroport, sepse ka pasur disa informatorë, apo një rrjet, pra ku është bërë pagesa në parkimin e aeroportit për mjetin nga Shaljani, apo dalja nga terminali. Në momentin që ata kanë dalë të trau i pagesës, mjeti i autorëve ka lëvizur, pra autorët kanë pasur informacion të detajuar për lëvizjet e tyre”, tha Lala.
