Hetimet për vrasjen e 27-vjeçarit shqiptar Sulo Halili, i cili u gjet i ekzekutuar dhe i karbonizuar në zonën e Skourtës në Greqi, po marrin drejtim të ri. Autoritetet greke e cilësojnë rastin si një nga më të ndërlikuarit e viteve të fundit, me skenarë që kanë ndryshuar disa herë gjatë ditëve të para të hetimit.
Pista e parë: Konflikti me ish-partnerin e të dashurës
Një nga skenarët që po hetohet lidhet me mundësinë që Halili të jetë ekzekutuar nga ish-i dashuri i partneres së tij. Ky person mësohet se e kishte kërcënuar më herët 27-vjeçarin dhe policia po verifikon nëse ka pasur kontakte apo lëvizje të dyshimta rreth ditës së zhdukjes së viktimës.
Pista e dytë: një koincidencë fatale – viktima mund të jetë ngatërruar me një tjetër shqiptar
Një tjetër pistë, e cila po merr peshë gjithnjë e më shumë, lidhet me një rast të mundshëm ngatërrese identiteti. Sipas hetuesve grekë, ekziston një tjetër shqiptar me të njëjtin emër dhe mbiemër — Sulo Halili — person me precedentë penalë të rëndë dhe i njohur si i përfshirë në krime me pagesë.
Burime të policisë thonë se:
të dy personat kanë ngjashmëri të madhe fizike,
kanë të njëjtin identitet nominativ,
dhe viktima e vërtetë, 27-vjeçari i ekzekutuar, nuk ka asnjë të dhënë kriminale.
Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që autorët të kenë menduar se po godisnin personin e gabuar, duke e ngatërruar 27-vjeçarin e pafajshëm me individin që kërkohej prej grupeve kriminale.
Familja përjashton lidhjet kriminale: “Sulo ishte djalë i qetë, njeri i punës”
Familjarët e viktimës dhe avokati i tyre theksojnë se Halili ishte punëtor ndërtimi, i martuar, i qetë dhe pa asnjë problem me ligjin. Ata dyshojnë se i riu mund të jetë futur në kurth pas kontakteve në rrjetet sociale me një vajzë, me të cilën kishte komunikuar prej muajsh. Ky komunikim po kontrollohet me imtësi nga policia greke.
Hetimet po përqendrohen në personin që e takoi për herë të fundit
Autoritetet greke kanë sekuestruar telefonat celularë të viktimës dhe të familjarëve të tij për të gjurmuar:
thirrjet e fundit,
mesazhet në TikTok dhe aplikacione të tjera,
lëvizjet e ditëve të fundit para zhdukjes.
Pista kryesore mbetet identifikimi i personit që u takua me Halilin në ditën kur ai u zhduk nga Halkidhë.
Ekzekutim profesional
Gjetja e një fragmenti plumbi në trupin e viktimës, si dhe mënyra si u dogj trupi, i shtyjnë hetuesit të besojnë se pas krimit fshihen persona me përvojë në botën e krimit të organizuar, të cilët kanë pasur qëllim të zhduknin çdo gjurmë.
Hetimet vazhdojnë me intensitet, ndërsa policia greke pritet të japë zhvillime të reja në ditët në vijim, pasi rasti konsiderohet një “nyje kriminale” që kërkon zgjidhje të shpejtë për shkak të ndjeshmërisë së lartë publike.
Ekzekutimi i 27-vjeçarit shqiptar në Skurta të Vjoitisë mbetet mister për policinë greke
Policia greke po heton vrasjen makabre të shtetasit shqiptar Sulo Halili, 27 vjeç, i cili u gjet i djegur në një zonë të pyllëzuar në Skurta të Vojotisë. Viktima ishte shpallur i zhdukur nga familja e tij në Halkidha që prej 4 nëntorit, ndërsa identifikimi u konfirmua përmes analizës së ADN-së.
Viktima, banor i Halkidhës, i martuar dhe me pastërti penale
Sipas informacioneve zyrtare të policisë greke, Halili ishte i martuar, pa fëmijë dhe punonte si ndërtues. Zëdhënësja e policisë, Konstantia Dimoglidu, konfirmoi se ai nuk kishte pasur më parë probleme me ligjin, duke e përshkruar si person me “dosje të pastër penale”.
Misteri: kush e thirri në takim?
Hetimi është përqendruar në mundësinë që 27-vjeçari të ketë shkuar në një takim me persona të panjohur, të cilët më pas e kanë ekzekutuar. Policia po analizon komunikimet e fundit të tij:
Mesazhet dhe bisedat në TikTok dhe rrjetet sociale
Kontaktet e ditëve të fundit
Mundësinë e ndonjë konflikti apo kërcënimi të mëparshëm
Autoritetet po përpiqen të zbulojnë nëse viktima kishte pasur ndonjë mosmarrëveshje apo problem financiar me të tretë.
E gjetën të djegur – në trup kishte shenjë plumbi
Nga ekzaminimi i trupit të djegur, hetuesit gjetën një fragment plumbi, duke forcuar dyshimet se Halili është ekzekutuar me armë dhe më pas trupi i është djegur për të zhdukur provat.
Policia greke dyshon se: “Autorët e kanë qëlluar viktimën dhe më pas kanë djegur trupin për të zhdukur gjurmët.”
Hetimet vazhdojnë intensivisht
Njësia e Krimeve të Rënda po kryen hetime të gjerë për të rindërtuar lëvizjet e viktimës para zhdukjes, si dhe për të identifikuar personat e fundit me të cilët ka pasur kontakt.
Forcat e rendit po verifikojnë:
Kamerat e sigurisë në zonat ku lëvizte viktima
Të gjitha aktivitetet e tij online
Rrjetin e njohjeve në Halkidhë dhe zonat përreth. /noa.al
