“Erdhi në Belgjikë si piktor!”/ Shqiptari hyn në shtëpinë e ministres belge për të grabitur por merr vetëm 50 euro, ja çfarë rrezikon

Një shtetas shqiptar është paraqitur përballë një gjykate në Belgjikë, ku rrezikon të dënohet me një vit burg dhe një gjobë prej 1,600 eurosh, pasi akuzohet për grabitjen e 50 eurove në shtëpinë e ministres belge Zuhal Demir. Ngjarja ndodhi më 7 janar 2023, kur i pandehuri, një piktor i profesionit, hyri në shtëpinë e ministres përmes një dritareje dhe u largua vetëm me 50 euro nga një kuti kursimesh.

Hetimi i policisë zbuloi gjurmë ADN-je në kutinë e kursimeve, të cilat u përputhën me të dhënat e të dyshuarit, të regjistruara më herët në disa dosje kriminale në Belgjikë, Gjermani dhe Spanjë. I pandehuri ka pasur edhe dënime të tjera në të kaluarën, përfshirë një dënim prej tre vitesh burg për vjedhje dhe pjesëmarrje në grup kriminal, dhe ai ishte gjithashtu i lidhur me dy të tjerë në një çështje të ngjashme.

Prokuroria belge ka kërkuar që shqiptari të dënohet me një vit burg dhe 1,600 euro gjobë, duke theksuar se hyrja me dhunë në një banesë cenon sigurinë e individëve. Ndërsa avokatja e tij ka shpjeguar mungesën e klientit, duke deklaruar se ai ka një ndalim hyrjeje në Europë për 8 vite, pasi u kthye në Shqipëri pas lirimit të përkohshëm nga dënimi i mëparshëm dhe tani ka një punë dhe një adresë të përhershme atje. Mbrojtja e tij ka kërkuar një shpallje të thjeshtë fajësie dhe ka argumentuar për tejkalimin e afatit të arsyeshëm të hetimeve, pasi ADN-ja u përputh vetëm në verën e vitit 2024.

Ministrja Zuhal Demir nuk u bë palë civile në proces, dhe vendimi i gjykatës pritet të shpallet më 5 janar.

Next