Iu sekuestrua 136 mijë euro pasuri, kush është 32-vjeçari i akuzuar si vrasës i biznesmenit Mondi Mëhalla! Pastrim parash e i dënuar për prostitucion në Itali, e shkuara e tij kriminale

Marselo Arani është shpallur në kërkim nga policia si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka.

32-vjeçari nga Elbasani, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për një tjetër vepër penale, akuzohet së bashku me 35-vjeçarin Armando Kola, banues në Laç, për ekzekutimin e 43-vjeçarit.

Ndaj tyre është ngritur akuza për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Ndërkohë si bashkëpunëtor në vrasje është arrestuar ortaku i viktimës, Xhino Ago akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Gjithashtu u arrestua edhe roja i karburantit, në pronësi të viktimës, 52-vjeçarin Kujtim Pisha për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion.

Kush është Marselo Arani

Më 4 Dhjetor 2024, ai u arrestua nën akuzën për pastrim parash, ndërsa iu sekuestruan pasuri me vlerë 136 mijë euro.

Ndaj tij, Gjykata e Elbasanit kishte caktuar më 1 dhjetor 2024 masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu, u bë sekuestrimi i 1 apartamenti në Durrës dhe 3 automjeteve, me vlerë rreth 136 000 euro, të cilat dyshohej se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të 32-vjeçarit.

I riu ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni.

“Si rezultat i operacionit “Resource”, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, u kap dhe u ndalua shtetasi M. A., 31 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 01.12.2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale””, informoi policia në atë kohë.

Duke shtuar se: “Gjithashtu, u bë sekuestrimi i pasurive me vlerë rreth 136 000 euro (1 apartament në Durrës dhe 3 automjete), të cilat dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi. 31-vjeçari ka qenë i arrestuar më parë në Itali, për pjesëmarrje në organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni.”

Zbardhja e vrasjes së biznesmenit

Ekzekutimi i 43-vjeçarit Mondi Mëllaha, krim i ndodhur mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor) në lagjen “Emin Matraxhiu” të Elbasanit, dyshohet se ka të bëjë me mosmarrëveshjet për ndarjen e normës së fitimit në biznes.

Sipas burimeve edhe incidentet e fundit mes viktimës dhe ortakut të tij, 32-vjeçarit Xhino Ago, kanë pasur si shkak këtë çështje.

Xhino Ago akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërsa si autorë të dyshuar të vrasjes u shpallën në kërkim 32-vjeçari Marselo Arani dhe 35-vjeçari Armando Kola.

Gjithashtu policia ka arrestuar edhe rojen e karburantit, në pronësi të viktimës, 52-vjeçarin Kujtim Pisha për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion.

Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët, si edhe arma e zjarrit me të cilën u vra Mondi Mëllaha.

Blutën informojnë se u sekuestruan gjithashtu dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të 32-vjeçarit Xhino Ago, i cili ia kishte dhënë me hua për përdorje Marselo Aranit.

Njoftimi:

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 43-vjeçarit.

Si rezultat i hetimeve të thelluara e të pandërprera, pas 24 orësh identifikohen dhe shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes.

Vihet në pranga një nga bashkëpunëtorët.

Në pranga u vu edhe 52-vjeçari, për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i karburantit).

Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.

Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.

Si rezultat i një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.

Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.

Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:

Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;

K. P., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Next