SHBA u ka dhënë aleatëve evropianë një afat deri në vitin 2027 që të marrin përsipër pjesën më të madhe të mbrojtjes konvencionale të NATO-s, një kërkesë që ka shkaktuar shqetësim në shumë kryeqytete evropiane, të cilat e konsiderojnë afatin si jorealist.
Sipas Reuters, zyrtarë të Pentagonit informuan diplomatët në Uashington se SHBA kërkon që Evropa të mbajë peshën më të madhe të kapaciteteve konvencionale të Aleancës, nga shërbimet e inteligjencës deri te sistemet raketore.
Një zyrtar amerikan tha se anëtarë të Kongresit janë në dijeni të mesazhit dhe kanë shprehur shqetësime. Megjithatë, nuk është sqaruar se si do të matet progresi evropian.
Kapacitetet konvencionale përfshijnë mjete jo-bërthamore, nga personeli ushtarak deri te sistemet e armatimit dhe SHBA nuk ka përcaktuar kriteret që do të përdoren.
Po ashtu, mbetet e paqartë nëse afati 2027 pasqyron politikën e administratës së Donald Trump apo vetëm pikëpamjet e disa zyrtarëve të Pentagonit, pasi në Uashington ka dallime të theksuara për rolin që duhet të kenë SHBA në sigurinë evropiane.
Shumë zyrtarë evropianë vlerësojnë se një afat i tillë është i parealizueshëm, pavarësisht mënyrës së vlerësimit të progresit. Ata argumentojnë se Evropa nuk ka vetëm mungesë financash, por edhe kohë dhe kapacitete industrialesh për të zëvendësuar aftësitë kritike amerikane në një periudhë kaq të shkurtër.
Prodhimi i pajisjeve ushtarake ka vonesa të mëdha, ndërsa edhe blerjet nga SHBA nuk çojnë në dorëzime të menjëhershme, shumë sisteme moderne kërkojnë vite për t’u prodhuar.
Përveç infrastrukturës, SHBA ofron aftësi të avancuara që nuk mund të blihen thjesht, si shërbime të specializuara të inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit, të cilat kanë qenë vendimtare për mbështetjen e Ukrainës.
Një zëdhënës i NATO-s deklaroi se vendet evropiane kanë filluar të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit. “Aleatët kanë njohur nevojën për investime më të mëdha në mbrojtje dhe për zhvendosjen e peshës së mbrojtjes konvencionale nga SHBA drejt Evropës,” tha ai, pa komentuar afatin 2027.
Marrëdhënia mes SHBA dhe NATO-s mbetet komplekse. Administrata Trump kërkon që evropianët të kontribuojnë më shumë, por qëndrimi i presidentit ndaj Aleancës ka pësuar luhatje. Në fushatën e vitit 2024, ai kritikoi ashpër aleatët evropianë dhe tha se do të “inkurajonte” Vladimir Putin të sulmonte vendet që nuk paguajnë “pjesën e tyre të drejtë” për mbrojtjen.
Megjithatë, në Samitin e NATO-s në qershor Trump përgëzoi liderët evropianë që pranuan një plan amerikan që rrit objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së. Që atëherë, Trump ka lëvizur mes një qëndrimi të ashpër ndaj Rusisë dhe një qasjeje më të hapur ndaj negociatave me Moskën për luftën në Ukrainë, pa përfshirë gjerësisht qeveritë evropiane.
Në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s këtë javë, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, tha se është “e qartë” që aleatët evropianë duhet të marrin përgjegjësinë për mbrojtjen e kontinentit.
“Administrata jonë e thotë këtë me vendosmëri, diçka që qeveritë e mëparshme amerikane e kanë përsëritur në një formë ose tjetër gjatë gjithë jetës sime,” shkroi ai në X.
